Arsenali i ka shtuar përpjekjet për të transferuar mesfushorin e Romës, Manu Kone, pasi thuhet se ka arritur marrëveshje për kushtet personale me përfaqësuesit e futbollistit.
25-vjeçari, që aktualisht është i angazhuar me kombëtaren e Francës në Kupën e Botës 2026, është kthyer në një nga objektivat kryesore të “Topçinjve” për afatin kalimtar veror, ndërsa klubi londinez synon të përfitojë nga gjendja e vështirë financiare e Romës.
Ekipi nga veriu i Londrës ka bërë hapa të rëndësishëm në përpjekjet për të siguruar shërbimet e mesfushorit francez.
Sipas Corriere della Sera, Kone në fillim kishte favorizuar një lëvizje fitimprurëse te Paris Saint-Germain dhe më herët kishte hedhur poshtë interesimin e Atletico Madridit. Megjithatë, me kampionët francezë që nuk e kanë konkretizuar interesin e tyre, Arsenali e ka shfrytëzuar këtë situatë për të negociuar me sukses me rrethin e lojtarit një transferim të mundshëm në “Emirates Stadium”.
Roma është nën presion të madh për të kryer një shitje para 30 qershorit, në mënyrë që të përmbushë detyrimet e rrepta të ‘Fair Play Financiar’.
Klubi italian fillimisht i kishte vendosur një çmim prej 50 milionë eurosh mesfushorit të tij, i cili ka spikatur nën drejtimin e Gian Piero Gasperinit.
Mikel Arteta e konsideron 25-vjeçarin si zgjidhjen ideale nga ana taktike për të ulur ngarkesën mbrojtëse që aktualisht mban Declan Rice në mesfushën e Arsenalit.
Aftësia e Kones për ta lëvizur topin shpejt drejt fazës sulmuese mund t’i sjellë më shumë ritëm dhe dinamizëm repartit të mesfushës së skuadrës londineze.
Po ashtu, ai do të sillte një profil teknik ndryshe nga Martin Zubimendi, stili më i ngadaltë i lojës së të cilit është vlerësuar gjithnjë e më pak i përshtatshëm për sistemin dinamik dhe fluid të Artetës.


