Bernard Berisha mbyll aventurën te Dinamo, sulmuesi paralajmëron së shpejti klubin e ri

Bernard Berisha mbyll aventurën te Dinamo, sulmuesi paralajmëron së shpejti klubin e ri

Lajme

Bernard Berisha nuk do të vazhdojë me Dinamon në sezonin e ardhshëm. Vendimin e ka bërë publik vetë sulmuesi, i cili ka sqaruar se ndarja është arritur në mirëkuptim me klubin kryeqytetas.

Në reagimin e tij, 34-vjeçari ka falënderuar presidentin, stafin, shokët e skuadrës dhe veçanërisht tifozët dinamovit për mbështetjen dhe respektin e treguar gjatë kësaj periudhe.

Berisha thekson gjithashtu se shumë shpejt do të bëjë të ditur edhe ekipin ku do të vijojë karrierën, teksa nga ky moment është një lojtar i lirë.

Gjatë sezonit të fundit me fanellën e Dinamos, ai ishte një nga figurat kryesore të skuadrës. Sulmuesi luajti 33 ndeshje në kampionat, Kupë dhe Superkupë, duke regjistruar 1 gol dhe 4 asiste.

Me kryeqytetasit, Berisha fitoi Superkupën e Shqipërisë në përballjen ndaj Egnatias. Ndërkohë, Dinamo e mbylli sezonin në top 4-she, pa arritur të realizonte objektivin për të fituar edhe trofeun e dytë.

POSTIMI:

Pas marrëveshjes me klubin Dinamo, nga sot jam lojtar i lirë.

Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Presidentin e klubit, stafin,, bashkëlojtarët dhe të gjithë tifozët e Dinamos për mbështetjen dhe respektin gjatë kësaj periudhe. Ishte një nder të isha pjesë e këtij klubi dhe ju jam falënderues për çdo moment të përbashkët.

I uroj Dinamos shumë suksese në vazhdim, si në kampionat ashtu edhe në çdo sfidë që e pret në të ardhmen.

Ndërsa për mua fillon një kapitull i ri. Shumë shpejt do t’ju njoftoj edhe me skuadrën time të ardhshme.

Faleminderit për gjithçka!

Promo