Anglia në alarm për shkak të lëndimeve të tre lojtarëve kyç të ekipit

Lajme

Kombëtarja e Anglisë dhe trajneri Thomas Tuchel janë në shqetësim për gjendjen fizike të tre prej yjeve më të rëndësishëm të skuadrës.

Sipas Sky Sports, Anglia po monitoron nga afër situatën fizike të Bukayo Sakës, Declan Rice dhe Marcus Rashfordit para ndeshjes së ardhshme në Kupën e Botës.


Këto shqetësime u shtuan pasi dy futbollistët e Arsenalit mbërritën në grumbullimin e Anglisë me lëndime të lehta, të cilat ishin trajtuar gjatë javëve të fundit të sezonit me klubin e tyre. Nga ana tjetër, sulmuesi i Manchester United, Rashford, ndjeu dhimbje në pjesën e pasme të kofshës pas fitores bindëse të Anglisë në ndeshjen hapëse kundër Kroacisë.

Të tre lojtarët shihen si pjesë thelbësore e ekipit të Thomas Tuchel, ndërsa stafi mjekësor i Anglisë po tregohet i kujdesshëm në procesin e rikuperimit të tyre.

Dyshimet për gjendjen e tyre u shtuan edhe më shumë kur Saka dhe Rashford munguan në një ndeshje stërvitore me dyer të mbyllura ndaj Sporting KC, e zhvilluar pas takimit me Kroacinë. Të dy futbollistët kishin luajtur vetëm rreth 20 minuta si zëvendësues, çka zakonisht do t’i bënte kandidatë për më shumë minuta në fushë.

Morgan Rogers, i cili hyri në lojë në të njëjtën kohë me Sakën dhe Rashfordin në përballjen ndaj Kroacisë, mori pjesë në atë ndeshje stërvitore, duke lënë të kuptohet se Anglia po e menaxhon me shumë kujdes ngarkesën fizike të dy lojtarëve të Arsenalit dhe sulmuesit në pronësi të Manchester United.

Anglia do të zhvillojë stërvitje të shtunën, me vëmendjen kryesore te fakti nëse Saka, Rice dhe Rashford do të jenë në gjendje t’i bashkohen grupit, ndërsa vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen e dytë në Kupën e Botës kundër Ganës.

Promo