Mesfushori i Villarrealit, Santi Comesana, ka akuzuar publikisht Barcelonën dhe Real Madridin se përfitojnë nga vendimet e arbitrave.
Ai i bëri këto komente pas disfatës 3-2 të Villarrealit ndaj Barcelonës fundjavën e kaluar, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si, sipas tij, gjyqtarët i trajtojnë klubet e mëdha në La Liga.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, reagoi ndaj deklaratave të Comesanas në konferencën për shtyp të së hënës. Ai e kundërshtoi futbollistin për përfshirjen e Realit në të njëjtin diskutim me Barcelonën.
“Ai ka amnezi. Ne fituam 1-0 kundër Villarrealit dhe Vinicius mori karton të kuq. Si mund të na vendosë neve dhe Barcelonën në të njëjtën situatë? Në rregull, le ta bëjë këtë, por të mos na vendosë në të njëjtën situatë kur bëhet fjalë për rastin Negreira”, tha Mourinho.
Çfarë është rasti Negreira?
Rasti Negreira konsiderohet ndër skandalet më të mëdha që kanë tronditur futbollin spanjoll. Ai lidhet me pagesat që Barcelona kreu për rreth 17 vjet ndaj Jose Maria Enriquez Negreira, ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë.
Klubi katalunas ka konfirmuar se ka paguar për raporte dhe këshillime në lidhje me arbitrimin, por ka mohuar se synonte të ndikonte te vendimet e gjyqtarëve.
Autoritetet gjyqësore spanjolle kanë hetuar nëse pagesat kishin si qëllim që Barcelona të merrte trajtim të favorshëm nga arbitrat. Ndërkohë, Real Madridi është ndër klubet që ka kërkuar vazhdimisht zbardhjen e plotë të çështjes.
Me deklaratën e tij, Mourinho veçoi vendimet e diskutueshme të arbitrave në ndeshje të caktuara nga çështja Negreira dhe kundërshtoi që Real Madridi të vendoset në të njëjtin kontekst me Barcelonën.
