Ish-zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Luke Zahner, vlerëson se Kosova ka përparuar ndjeshëm që nga paslufta. Megjithatë, njohja e plotë ndërkombëtare dhe normalizimi i raporteve me Serbinë, sipas tij, vijojnë të pengojnë integrimin euroatlantik të vendit.
Në intervistën për Telegrafin, Zahner rikujtoi realitetin e viteve 1998 dhe 1999 dhe theksoi se ndryshimi i Kosovës në 27 vitet e fundit është i dukshëm.
“Duke krahasuar kushtet në terren të viteve 1998 dhe 1999 me Prishtinën dhe qytetet e tjera të Kosovës sot, transformimi është i pamohueshëm”, u shpreh ai.
Zahner tha se Kosova ka krijuar institucione demokratike dhe është zhvilluar si një sistem demokratik evropian, i cili ende po konsolidohet.
Ai nënvizoi, megjithatë, se statusi ndërkombëtar i pazgjidhur i Kosovës përbën një pengesë të rëndësishme.
Sipas tij, mosnormalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë e madhe në rrugën drejt synimit përfundimtar të Kosovës, që të bëhet pjesë e plotë e komunitetit euroatlantik.
Zahner u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që normalizimin ta mbajnë në krye të agjendës, edhe pse procesi është i vështirë.
Ai përmendi gjithashtu si sfida mirëqenien ekonomike dhe mundësitë për të rinjtë, luftën kundër korrupsionit, energjinë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Intervista e plotë gjendet në këtë adresë: https://telegrafi.com/ish-zyrtari-i-dash-it-per-telegrafin-serbia-duhet-te-zgjedhe-mes-be-se-dhe-rusise-njohja-e-kosoves-duhet-te-jete-synimi-perfundimtar/
