Xherdan Shaqiri ka reaguar ndaj raportimeve të fundit për një vendim të supozuar lidhur me të ardhmen e tij te FC Basel.
Në një mesazh të publikuar në Instagram, ai i ka mohuar këto zëra, duke sqaruar se nuk është marrë ende asnjë vendim. Sipas tij, bisedimet me klubin po zhvillohen në një atmosferë të mirë.
“Të dashur tifozë, thashethemet aktuale rreth një vendimi të supozuar për të ardhmen time janë të rreme. FCB-ja dhe unë vazhdojmë të jemi në bisedime të mira dhe do të komunikojmë sapo të vendoset diçka dhe të jetë gati për t’u bërë publike,” shkroi Shaqiri.
Futbollisti tha gjithashtu se ndihet mirë te FC Basel dhe se mbetet i përkushtuar për përmirësimin e rezultateve sportive të ekipit.
“Unë vazhdoj të kënaqem shumë këtu dhe, së bashku me ekipin dhe stafin, do të bëj gjithçka që gjërat të shkojnë sërish përpara në aspektin sportiv. Shihemi të dielën në ‘Joggeli’! I juaji, Xherdani,” përfundoi ai në mesazhin drejtuar tifozëve.
