Galatasaray ka përkujtuar ish-futbollistin e tij legjendar Xhevat Prekazi, i cili u nda nga jeta në moshën 69-vjeçare. Klubi turk publikoi një video me disa prej çasteve të spikatura të tij në fanellën e Galatasarayt.
Pamjet sjellin sërish në vëmendje talentin e veçantë të futbollistit nga Mitrovica, përmes golave të përzgjedhur, shumica të shënuar me goditje të jashtëzakonshme nga distanca.
Prekazi shënon me fuqi e saktësi, ndërsa demonstron edhe aftësitë teknike me goditje me efekt, driblime elegante dhe aksione individuale.
Ai zuri një vend të veçantë në historinë e Galatasarayt, me të cilin u shpall kampion i Turqisë në sezonet 1986/87 dhe 1987/88. Para mbërritjes së tij, klubi nuk kishte fituar titullin për 17 vite.
Gjatë viteve 1985–1991, Prekazi realizoi 44 gola në 229 ndeshje me ekipin turk, sipas statistikave.
Me videon e publikuar, Galatasaray ka risjellë kujtimet për lojtarin që fitoi zemrat e tifozëve me golat, teknikën dhe spektaklin e tij në fushë.
Në material dëgjohet edhe zëri i Prekazit, i cili thotë: “Kur të vdes, pasi të gjithë asaj rruge jemi, i them gruas time, dua të ma vendosin në arkivol fanellën e Galatasarayt, por edhe të Partizanit, natyrisht”.
Xhevat Prekazi do të kujtohet si një nga emrat e paharruar të klubit nga Stambolli.
