Murat Yakin ka bërë publike listën e Zvicrës për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, kundër Sllovenisë dhe Skocisë. Mes 28 futbollistëve të grumbulluar janë edhe Granit Xhaka e Breel Embolo, të cilët rikthehen pas mungesës në grumbullimin e kaluar.
Të dy lojtarët kishin mbetur jashtë për shkak të polemikave rreth certifikatave të falsifikuara gjatë pandemisë COVID-19. Xhaka kishte pranuar se kishte siguruar certifikata të falsifikuara vaksinimi, ndërsa Embolo ishte dënuar për blerjen e certifikatave të falsifikuara të testimit.
Yakin tha se çështja e Xhakës është diskutuar dhe se kapiteni e ka pranuar gabimin dhe ka kërkuar falje. Sipas përzgjedhësit, futbollisti i kishte dërguar edhe një mesazh përpara ndeshjeve ku mungoi. Ai u shpreh i bindur se, kur Xhaka t’i bashkohet ekipit të hënën, vëmendja e tij do të jetë vetëm te Kombëtarja.
Përzgjedhësi sqaroi gjithashtu se shiriti i kapitenit nuk është vënë në diskutim. Yakin tha se nuk do ta këshillonte Xhakën të hiqte dorë prej tij, duke e cilësuar kapitenin dhe liderin e skuadrës. Ai kujtoi se Xhaka ka luajtur 152 ndeshje me Zvicrën.
Sa i përket Embolos, Yakin komentoi pakënaqësinë që sulmuesi shprehu pasi nuk u përfshi në grumbullimin e mëparshëm. Embolo kishte kritikuar mënyrën si Federata Zvicerane e Futbollit e trajtoi rastin e tij dhe kishte thënë se krahasimi me çështjen e Xhakës e kishte zhgënjyer.
Trajneri tha se është në dijeni të përmbajtjes së intervistës dhe se Embolo ka të drejtë të shprehë qëndrimin e vet. Megjithatë, për ekipin rëndësi ka reagimi që sulmuesi do të tregojë në fushë. Yakin shtoi se Embolo ishte zemëruar ngaqë nuk mundi të luante, por duhet ta pranojë atë që ndodhi. Sipas tij, nevojitet edhe një bisedë ku palët të ulen së bashku për t’i sqaruar gjërat.
Listës i janë bashkuar sërish edhe Denis Zakaria, Rubén Vargas dhe Miro Muheim, të cilët kishin munguar së fundmi për shkak të lëndimeve. Ftesën e parë e kanë marrë portieri i FC Zurichut, Silas Huber, dhe sulmuesi i krahut Samuel Ballet, i cili luan për klubin turk Amedspor.
Zvicra do të përballet fillimisht me Slloveninë më 13 nëntor në Maribor. Tri ditë më pas, ajo do të presë Skocinë në shtëpi. Për këto takime, Yakin ka thirrur 28 lojtarë, dy më shumë se zakonisht, për shkak të gjendjes fizike të disa futbollistëve. Mes tyre janë Zeki Amdouni dhe Ricardo Rodriguez, të cilët po rikuperohen nga lëndimet.
Një pikë në ndeshjen me Slloveninë do t’i mjaftonte Zvicrës për të siguruar vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën A të Ligës së Kombeve.
