Egnatia hyn në provën e Champions League, kampionët thirrje tifozëve: Na mbështesni në këtë udhëtim evropian

Egnatia hyn në provën e Champions League, kampionët thirrje tifozëve: Na mbështesni në këtë udhëtim evropian

Lajme

Egnatia ka mbërritur në momentin për të testuar forcat në kualifikueset e Champions League, pasi ka përfunduar me bilanc pozitiv fazën përgatitore. Në katër ndeshjet miqësore të zhvilluara në Bansko të Bullgarisë, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede arriti të regjistrojë tre fitore.

Tashmë rrogozhinasit janë përqendruar te përballja e parë zyrtare, ajo kundër FC Petrocub, ekipit që vjen nga elita e futbollit moldav.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kampionët e Superiores bëjnë të ditur se skuadra është gati të nisë ëndrrën evropiane, ndërsa i gjithë fokusi është vendosur te ndeshja e parë që do të luhet në Moldavi.

Në të njëjtin reagim, klubi u ka bërë apel edhe tifozëve të Egnatias që të qëndrojnë pranë ekipit dhe të mos mungojnë në këtë rrugëtim në arenën europiane.

Kujtojmë se Egnatia do të luajë fillimisht të mërkurën, më 8 korrik, në “Zimbru Stadium”, duke nisur nga ora 19:00. Më pas, më 15 korrik, do të zhvillohet sfida e kthimit në “Arena Egnatia”, ku skuadra shqiptare do të presë rivalin moldav në orën 21:00.

Postimi i klubit thekson: “Pas një periudhe intensive përgatitore, skuadra mbyll me sukses fazën e përgatitjeve, duke hedhur bazat për sfidat që e presin.

Me punë dhe perkushtim, ekipi është gati të nisë ënderren në arenën evropiane. Tashmë i gjithë fokusi është te ndeshjet e Play-Off-it të UEFA Champions League, ku na pret një tjetër provë e rëndësishme.

Ftojmë të gjithë tifozët tanë të jenë pranë skuadrës dhe të mos mungojnë në këtë rrugëtim evropian. Mbështetja juaj nga tribunat është forca jonë më e madhe dhe së bashku mund ta bëjmë çdo sfidë edhe më të veçantë.

Sytë drejt Play-Off-it të UEFA Champions League. Së bashku për ngjyrat tona.”







Promo