Futbollisti i njohur kosovar Florent Hasani ishte i ftuari i episodit më të fundit të podcastit “Arena e Yjeve”, i realizuar me përkrahjen e sponsorëve zyrtarë Exfis dhe Heineken.
Në këtë bisedë, ai foli për hapat e parë në futboll dhe për periudhën e tij te Trepça 89’, skuadra ku, sipas tij, u formua si lojtar, duke sjellë në vëmendje edhe vështirësitë që e shoqëruan atë etapë.
“Trepça ’89 ka qenë njëra ndër periudhat më të mira të karrierës. Kam qëndruar dy vite e gjysmë. Viti i parë ka qenë problematik për mua, si lojtar i ri 18-vjeçar”.
Hasani kujtoi se sezoni i parë nisi mjaft mirë, me ekipin që për disa ndeshje mbajti vendin e parë dhe nuk pësoi humbje, por më pas situata ndryshoi.
“Ai sezoni pati përfunduar si përfundoi. E patëm filluar shumë mirë në vend të parë disa ndeshje pa humbje, pastaj kemi ra”.
Sipas tij, pas përfundimit të atij viti, klubi mori vendim që sezonin pasues ta ndërtonte kryesisht me futbollistë të rinj dhe me talentë.
“Përfundon viti i parë dhe klubi vendos që në vitin e dytë me hy vetëm me lojtarë të rinj, me talenta”.
Ai tregoi se në skuadër mbetën vetëm disa emra me përvojë, konkretisht Shpëtim Idrizi, Ilir Izmaku dhe Edon Pasoma, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga lojtarë 19-20 vjeç. Hasani shtoi se në atë kohë, sipas mediave, Trepça ’89 konsiderohej kandidati kryesor për të rënë nga liga.
“Na lanë lojtarë me përvojë vetëm Shpëtim Idrizin, Ilir Izmakun, Edon Pasomën dhe gjithë lojtarët tjerë 19-20 vjeç dhe e mbaj mend në të gjitha mediat kemi qenë kandidati i parë për të rënë nga liga”.
Megjithatë, ai theksoi se ekipi zhvilloi përgatitje shumë të mira dhe punoi fort çdo ditë. Më pas përmendi edhe ndeshjen e parë ndaj Gjilanit, ku rezultati ishte 1-1, Trepça ’89 mbeti me dy kartonë të kuq, por arriti të fitonte 1-2 me golin e tij rreth minutës së 85-të. Sipas Hasanit, që nga ajo përballje skuadra nuk u ndal më.
“Por kemi bërë përgatitje shumë të mirë, çdo ditë kemi punuar shumë edhe kur kemi filluar ndeshjen e parë me Gjilanin 1-1 ka qenë rezultati, kemi pasur dy kartona të kuq dhe fitojmë ne 1-2 me golin tim në minutën e 85-të diku. Që nga ajo ndeshje nuk kemi pasur të ndalur fare”, ka rrëfyer Hasani.
Episodin e plotë me Florent Hasanin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube. //


