Real Madridi merr vendimin përfundimtar për të ardhmen e Fede Valverdes

Lajme

Federico Valverde pritet të hyjë në një sezon përcaktues te Real Madridi, teksa klubi vazhdon t’i besojë mesfushorit uruguaian, pavarësisht një viti të komplikuar brenda dhe jashtë fushës.

Sipas raportimeve të “AS”, Real Madridi është duke planifikuar një rindërtim të thellë të skuadrës pas rikthimit të Jose Mourinhos, me disa afrime të rëndësishme që synojnë përforcimin e mesfushës dhe sektorëve të tjerë kyç. Megjithatë, Valverde nuk është pjesë e listës së lojtarëve që mund të largohen, pasi drejtuesit vijojnë ta konsiderojnë një pjesë të rëndësishme të projektit afatgjatë.


Megjithatë, sezoni i kaluar u pa si një hap pas për 27-vjeçarin. Ai ishte mes lojtarëve që morën kritika pas largimit të Xabi Alonsos, sidomos për pakënaqësinë që shfaqi kur u aktivizua si mbrojtës i djathtë, një situatë që solli edhe reagime negative nga një pjesë e tifozëve në “Santiago Bernabeu”.

Sezoni i tij u shoqërua gjithashtu nga një përplasje me Aurelien Tchouamenin, incident që sipas raportimeve bëri që Valverde të përfundonte në spital, edhe pse klubi e konsideron tashmë këtë çështje të mbyllur.

Pavarësisht këtyre vështirësive, Valverde e përfundoi sezonin me mbi 4,000 minuta në fushë, duke shënuar nëntë gola dhe duke dhënë 13 asistime. Gjithsesi, brenda klubit mbetet bindja se ai nuk arriti të kishte ndikim të vazhdueshëm në ndeshje, veçanërisht në momentet kur Real Madridi humbiste kontrollin e mesfushës.

Sezoni 2026/27 shihet tashmë si një mundësi vendimtare për uruguaianin që të rikthehet në formën e tij më të mirë, të rikonfirmohet si një nga liderët e skuadrës dhe të fitojë plotësisht besimin e tifozëve dhe të klubit.

Konkurrenca në mesfushë pritet të ashpërsohet edhe më shumë, me ardhjen e Bernardo Silvas për të sjellë më shumë kreativitet dhe kontroll në lojë, ndërsa Mourinho raportohet se kërkon edhe transferimin e Mateus Fernandes nga West Ham – një mesfushor me karakteristika të ngjashme me Valverden, veçanërisht në tranzicion.

Megjithatë, mesazhi i drejtuesve madrilenë mbetet i prerë: Federico Valverde vazhdon të jetë në qendër të planeve të Real Madridit dhe klubi beson se ai do t’i përgjigjet pozitivisht rritjes së konkurrencës./

Promo