“Do të ishte gënjeshtër po të thosha se jam mirë” – Granit Xhaka rrëfen pas ditëve të vështira

Lajme

Zvicra arriti fitoren e saj të parë në fazën e grupeve të Kupës së Botës, pasi mundi Bosnjën me shifrat e thella 4-1, ndërsa golin e fundit të takimit e realizoi Granit Xhaka nga pika e bardhë.

Pas përfundimit të ndeshjes, në kampin zviceran mbizotëronte një atmosferë shumë e mirë, teksa kapiteni Granit Xhaka foli edhe për kritikat që e kanë shoqëruar në ditët e fundit.


Duke komentuar paraqitjen kundër Bosnjës, mesfushori shqiptar tha se ishte tepër i kënaqur me reagimin e skuadrës.

“Kur ka vend për lëvdata, ato i takojnë ekipit. Kur ka nevojë për kritika, i bëj edhe ato. Sot pamë një Zvicër të fortë. Ishim të bashkuar, si me top ashtu edhe pa të. Bëmë punën e vështirë dhe fituam duele me shumë rëndësi. Luajtëm shumë mirë gjatë gjithë 90 minutave”, u shpreh Xhaka për SRF.

Kapiteni foli me vlerësim edhe për lojtarët që hynë nga stoli, duke nënvizuar se arritjet vijnë vetëm kur grupi funksionon si i tërë.

“E dinim që duhej të vepronim si ekip. Kemi cilësi individuale, por sot edhe ata që u inkuadruan gjatë ndeshjes bënë ndryshimin. Na duhet secili lojtar. Duhej të ishim të përgatitur mendërisht, edhe në rast se nuk e nisnim lojën nga minuta e parë”, shtoi ai.

Xhaka u ndal edhe te kritikat e fundit në adresë të tij, duke pranuar se disa gjëra e kanë prekur, por duke theksuar se për të më e rëndësishmja mbetet mbështetja e skuadrës.

“Njerëzit e dinë kush jam. Unë e kritikoj veten para se të kritikoj dikë tjetër. Çdo gjë që them interpretohet ndryshe, por unë nuk di të jem ndryshe. Zvicra mund të jetë krenare që ka një lojtar me 148 paraqitje për kombëtaren, i cili luan me krenari të pastër për këto ngjyra. Ndoshta më duhet kjo, të provokoj pak. Për mua ka rëndësi që ekipi të jetë pas meje. Gjithçka tjetër nuk më ka interesuar kurrë”, tha ai.

Mesfushori pranoi gjithashtu se ditët e fundit nuk kanë qenë aspak të lehta për të.

“Do të gënjeja nëse do të thosha se gjithçka është në rregull. Disa gjëra më dhembin, sepse ka gjëra që nuk i kuptoj. Është shkruar shumë dhe një artikull i madh para dy ditësh nuk kaloi pa u vënë re. Por unë mund të ndikoj vetëm në atë që ndodh në fushë. Nuk kam ndjesinë se qoftë edhe një për qind e ekipit nuk është pas meje”.

Në fund, kapiteni i Zvicrës e bëri të qartë synimin e tij: “Unë jam këtu për suksesin dhe do të vazhdoj ta kërkoj atë për aq kohë sa do të jem këtu”, përfundoi Xhaka.

Promo