Julián Quiñones, futbollisti që kapërceu varfërinë me talentin e tij

Lajme

Nëse do të kishte një renditje të futbollistëve të Kupës së Botës bazuar te vështirësitë e përjetuara gjatë fëmijërisë, shumë pak rrëfime do të mund të viheshin përkrah atij të Julián Quiñones.

Sulmuesi 29-vjeçar, i cili shënoi golin e parë të Kupës së Botës 2026 në ndeshjen hapëse të Meksikës ndaj Afrikës së Jugut, përfaqëson shembullin e një njeriu që ia doli të mposhtte varfërinë dhe të ndërtonte një karrierë të jashtëzakonshme falë futbollit.


Quiñones, që aktualisht aktivizohet me Al Qadsiah dhe përfaqëson Kombëtaren e Meksikës, ka lindur në Magüi Payán, një qytet i largët në Kolumbi, pranë kufirit me Perunë. Ai mori shtetësinë meksikane në tetor 2023, por prejardhja e tij mbetet thellësisht kolumbiane.

Vendi prej nga vjen – grupe guerile dhe kartele droge

Magüi Payán është një zonë e varfër që për vite të tëra është lënë në harresë nga autoritetet kolumbiane. Sipas dëshmive të mbledhura në dokumentarin e realizuar nga gazetari John Sutcliffe për ESPN Mexico, të rinjtë e atij rajoni shpesh gjenden përballë vetëm tre zgjedhjeve: të bëhen futbollistë, të bashkohen me grupet guerile ose të përfshihen në trafikun e drogës.

Kur në vitin 2017 rajoni u trondit nga një masakër ku mbetën të vrarë 13 persona, Quiñones nuk jetonte më atje.

Nëna e tij, Gloria, vazhdonte të jetonte në Kolumbi. Ajo e rriti e vetme, bashkë me tri vajzat e tjera të familjes, pasi futbollisti nuk e njohu kurrë babanë e tij.

“Gjithmonë e ka ndier mungesën e figurës së babait. E kishte të vështirë të pranonte që ai nuk ishte pranë tij”, ka treguar Gloria.

Edhe vetë futbollisti ka folur për këtë zbrazëti në jetën e tij.

“Ishte e vështirë, sepse ndonjëherë ke nevojë për një figurë atërore që të të udhëheqë dhe të të tregojë se cila është rruga e duhur”, ka rrëfyer ai.

Rajoni i Nariños, ku u rrit Quiñones, ka qenë për vite me radhë një nga zonat më problematike të Kolumbisë, ku minierat ilegale të arit bashkëjetonin me laboratorët e prodhimit të kokainës.

Ëndrra për t’u bërë futbollist

Në një mjedis të tillë, ëndrra për t’u bërë futbollist ishte shumë më tepër sesa një dëshirë sportive; ajo përfaqësonte një mundësi për t’i shpëtuar varfërisë dhe për të ndryshuar jetën e familjes.

Që i vogël, Julián jetonte për futbollin. Ai luante me çdo send që mund të shërbente si top dhe përdorte objekte të ndryshme si porta. Njëkohësisht ndihmonte gjyshen në punët e shtëpisë, por pasioni i tij më i madh mbetej futbolli.

Nëna e tij kujton se ai nuk shoqërohej me banda apo grupe problematike.

“Ai studionte dhe shkonte drejt e nga shtëpia në fushë. Futbolli ishte gjithçka për të”, ka treguar ajo.

Në moshën 16-vjeçare, i veshur me këpucë të konsumuara, nga të cilat i dukeshin gishtërinjtë e këmbëve, Quiñones mori pjesë në një provë të organizuar nga akademia Fútbol Paz. Atje ai mahniti trajnerët duke realizuar katër gola në një ndeshje.

Klubi kishte lidhje me Tigres UANL dhe drejtuesit nuk ngurruan ta afronin menjëherë.

“Kur i pyesnim të rinjtë pse dëshironin të luanin futboll, përgjigjja e Juliánit ishte e qartë: ‘Dua të ndihmoj familjen time’”, kujtojnë drejtuesit e projektit.

Transferimi

Pas vetëm një sezoni, ai u transferua në futbollin meksikan. Në turneun Apertura 2015 me ekipin rezervë të Tigres, ai shënoi 15 gola në 17 ndeshje dhe emri i tij nisi të tërhiqte vëmendje si në Kolumbi, ashtu edhe në Meksikë.

Kolumbia e grumbulloi në ekipet e moshave dhe ai mori pjesë në Kupën e Botës U-20 në vitin 2017. Megjithatë, kur iu dha mundësia të zgjidhte kombëtaren në nivelin e të rriturve, Quiñones vendosi të përfaqësonte Meksikën, vendin që i kishte dhënë mundësinë të ndërtonte karrierën e tij.

“Askush nuk është profet në vendin e vet. Më dhembte ta shihja larg, por e dija se po ndiqte ëndrrën e tij. Një ëndërr që ndryshoi jetën tonë”, deklaroi ajo.

Karriera e tij ka njohur një ngritje të vazhdueshme. Ai ka luajtur me sukses për Tigres UANL, Atlas FC dhe Club América, duke fituar gjashtë tituj kampionë dhe katër trofe Campeón de Campeones.

Lindja e Mesme

Dy vite më parë, nën drejtimin e trajnerit Míchel González, ai u transferua në Arabinë Saudite për t’iu bashkuar Al Qadsiahit, një skuadre të sapongjitur në elitë.

Që prej mbërritjes së tij në Lindjen e Mesme, Quiñones ka vijuar të shkëlqejë. Ai ka shënuar 53 gola me fanellën e klubit saudit, ndërsa vetëm në sezonin e fundit realizoi 33 herë, duke lënë pas në renditjen e golashënuesve emra të mëdhenj si Cristiano Ronaldo dhe Ivan Toney.

Nga rrugët e varfra të Magüi Payánit deri në skenën më të madhe të futbollit botëror, historia e Julián Quiñones është dëshmi se talenti, puna dhe këmbëngulja mund të triumfojnë edhe përballë kushteve më të vështira të jetës.

Promo