Vëmendja ishte e përqendruar te Anglia, që e nisi fushatën e saj në Kupën e Botës me një fitore komode ndaj Kroacisë të mërkurën në mbrëmje.
Anglezët kaluan shpejt në avantazh, pasi Harry Kane realizoi nga pika e bardhë në përpjekjen e dytë pas penalltisë së përsëritur, ndërsa më pas Martin Baturina barazoi me një goditje të shkëlqyer nga largësia.
“Tre Luanët” reaguan menjëherë sërish, me Kane që riktheu epërsinë për ekipin e tij me një gol me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Declan Rice, por Petar Musa shënoi pranë fundit të pjesës së parë për të vendosur edhe një herë baraspeshën.
Ekipi i drejtuar nga Thomas Tuchel u paraqit fuqishëm pas intervalit, duke dhënë një nga performancat më të mira të turneut, teksa golat e Jude Bellingham dhe Marcus Rashford vulosën një fitore plotësisht të merituar.
Megjithatë, shumë tifozë që e ndoqën takimin mund të mos kenë dalluar një ndryshim të rëndësishëm në fanellën e Anglisë gjatë kësaj fitoreje 4-2.
Anglia luajti me fanellën e re të shtëpisë në ndeshjen e parë të Grupit L, e cila kishte një ndryshim të vogël në krahasim me fanellat e përdorura në ndeshjet miqësore përgatitore.
Më herët gjatë këtij viti, skuadra kishte përdorur një fanellë ku numrat ishin vendosur poshtë logos së Nike në anën e djathtë të gjoksit, gjë që krijoi paqartësi, pasi në imazhet promocionale ata shfaqeshin të vendosur në qendër.
Ky “gabim” është ndrequr për përballjen me Kroacinë, me numrat e lojtarëve që janë rikthyer në qendër, ashtu siç ishin paraqitur në materialet zyrtare promocionale dhe siç përdoren edhe në fanellën e kuqe të mysafirëve.


