Në selinë e UEFA-s u tërhoq sot shorti për fazën play-off të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027 në konkurrencën e femrave, ku për herë të parë në histori pjesë e kësaj etape është edhe Kombëtarja e Kosovës.
Në këtë ceremoni, Federata e Futbollit e Kosovës u përfaqësua nga shefja e futbollit të femrave, Valbona Gashi Uka, si dhe trajnerja e Kombëtares A, Xhuli Berisha.
Sipas shortit, Dardanet në gjysmëfinalen e play-offit do të kenë përballë Austrinë. Takimi i parë do të luhet më 9 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa ndeshja e kthimit është caktuar për më 13 tetor në Austri.
Nëse arrijnë kualifikimin, Kosova në finalen e play-offit do të përballet me skuadrën fituese të çiftit Izrael – Zvicër. Ndeshjet finale janë planifikuar të zhvillohen më 1 dhe 5 dhjetor.
Kalimi në këtë fazë përbën një sukses historik për futbollin e femrave në Kosovë. Dardanet e siguruan pjesëmarrjen në play-off pasi e mbyllën me sukses ciklin kualifikues në Ligën C, duke u renditur në pozitën e parë të grupit.
Në të njëjtën kohë, ato siguruan edhe ngjitjen në Ligën B për edicionin e ardhshëm kualifikues.


