Pesë futbollistë kroatë që Anglia duhet të mbajë në fokus në ndeshjen e parë të Botërorit

Lajme

Kombëtarja kroate vijon të mbështetet te bërthama e saj e artë, e cila po i reziston kalimit të viteve. Pas arritjes në finalen e Botërorit 2018 dhe vendit të tretë në Katar 2022, Kroacia mbetet një kundërshtar i vështirë për çdo ekip.

E renditur në pozitën e 11-të në klasifikimin e FIFA-s, ajo do të ndeshet me Anglinë në takimin hapës të Grupit L.


Këta janë pesë futbollistët që pritet të kenë një rol vendimtar për skuadrën e Zlatko Dalic.

Luka Vuskovic

Klubi: Tottenham Hotspur

Mosha: 19 vjeç

Pozicioni: Mbrojtës

19-vjeçari shihet si një nga mbrojtësit më premtues në kontinent. Pas një sezoni shumë të mirë në huazim te Hamburgu në Bundesliga, ku ndihmoi skuadrën të siguronte mbijetesën, Vuskovic e ngriti ndjeshëm profilin e tij.

Mbrojtësi 1.93 metra i gjatë ka shënuar edhe një gol me fanellën e Kroacisë, ndërsa trajneri Dalic e ka cilësuar si një nga shtyllat e kombëtares për 10 vitet e ardhshme.

Josko Gvardiol

Klubi: Manchester City

Mosha: 24 vjeç

Pozicioni: Mbrojtës

Një prej figurave më të rëndësishme të prapavijës kroate. Gvardiol është rikthyer pas një dëmtimi serioz në këmbë dhe pritet të nisë si titullar përballë Anglisë.

Ai ka marrë pjesë në të gjitha turnetë madhorë të Kroacisë në vitet e fundit dhe në Botërorin 2022 luajti çdo minutë të mundshme. Më herët, Dalic e ka përshkruar si “mbrojtësin qendror më të mirë në botë”.

Luka Modric

Klubi: Milan

Mosha: 40 vjeç

Pozicioni: Mesfushor

Kapiteni dhe ikona e futbollit kroat vazhdon të sfidojë moshën. Fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2018 është pranë ndeshjes së 200-të me ekipin kombëtar.

Edhe pse tashmë 40 vjeç, Modric mbetet dirigjenti kryesor i lojës së Kroacisë. Legjenda që fitoi 28 trofe me Real Madridin, mes tyre gjashtë Liga të Kampionëve, vazhdon të jetë zemra e mesfushës kroate.

Petar Sucic

Klubi: Inter

Mosha: 22 vjeç

Pozicioni: Mesfushor

Një nga emrat e rinj më premtues të futbollit kroat. Sucic ka fituar dy trofe vendas në sezonin e tij të parë në Itali dhe është kthyer në një titullar të rregullt në mesfushën e kombëtares.

I aftë të aktivizohet në disa role të mesfushës, ai shihet si një nga liderët e brezit të ri që do të marrë stafetën nga veteranët.

Andrej Kramaric

Klubi: Hoffenheim

Mosha: 34 vjeç

Pozicioni: Sulmues

Sulmuesi me përvojë vazhdon të jetë një nga armët kryesore të Kroacisë në fazën sulmuese. Me 36 gola për kombëtaren, ai renditet si golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e vendit.

Kramaric shënoi gjashtë gola në eliminatoret e Botërorit 2026 dhe sezonin e kaluar realizoi 15 herë për Hoffenheimin. Me 158 gola, ai është golashënuesi më i mirë në historinë e klubit gjerman.

Nga legjenda Luka Modric te talentet Luka Vuskovic dhe Petar Sucic, Kroacia bashkon përvojën me energjinë e brezit të ri.

Pikërisht kjo ndërthurje e bën skuadrën e Zlatko Dalic një kundërshtar të rrezikshëm për Anglinë dhe një pretendente serioze në Botërorin 2026.

Promo