Artim Pollozhani është emëruar trajneri i ri i Shkëndijës së Tetovës. Ish-drejtori sportiv dhe ish-trajneri i Flamurtarit ka zgjedhur të nisë një eksperiencë të re me skuadrën kuqezi në Maqedoninë e Veriut.
Në njoftimin zyrtar të klubit, Pollozhani prezantohet si shefi i stafit teknik, i cili do të drejtojë ekipin në sezonin e ardhshëm. Në përbërje të këtij stafi bën pjesë edhe ish-anëtari i Partizanit, Kushtrim Voka.
NJOFTIMI I PLOTË:
KF Shkëndija njofton me kënaqësi kompletimin e stafit teknik që do të udhëheqë skuadrën në sezonin e ri garues, me objektiva të qarta për sukses në arenën vendore dhe paraqitje sa më dinjitoze në kompeticionet europiane.
Për drejtimin e ekipit është përzgjedhur ish-kapiteni ynë, Artim Pollozhani, i cili merr detyrën e shefit të stafit teknik të KF Shkëndija.
Një figurë e njohur për familjen kuqezi, Pollozhani ka mbrojtur në disa etapa ngjyrat e Shkëndijës si futbollist, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Pas mbylljes së karrierës si lojtar, ai ka vijuar angazhimin në futboll në funksione të ndryshme teknike dhe drejtuese, duke grumbulluar përvojë si ndihmës trajner, trajner i parë dhe drejtor sportiv.
Bekim Osmani do të jetë ndihmësi i Pollozhanit, ndërsa stafi teknik përforcohet edhe me asistentin dhe video-analistin Kushtrim Voka. Saladin Mustafi vijon detyrën si trajner i portierëve, ndërsa Saimir Fetahi mbetet përgjegjës për përgatitjen kondicionale të skuadrës.
Stafi i ri teknik i KF Shkëndija:
Artim Pollozhani – Shef i stafit teknik
Bekim Osmani – Ndihmës trajner
Kushtrim Voka – Ndihmës trajner dhe video-analist
Saladin Mustafi – Trajner i portierëve
Saimir Fetai – Trajner kondicional
Me këtë përbërje, Shkëndija vijon përgatitjet për sfidat e sezonit të ri, me fokus te ndërtimi i një skuadre konkurruese dhe përmbushja e objektivave të vendosura. Skuadra sonte udhëton drejt Sllovenisë për fazën përgatitore.
KF Shkëndija i uron Artim Pollozhanit dhe gjithë stafit teknik shumë suksese në drejtimin e skuadrës kuqezi.


