Ylli i Manchester Unitedit dhe Marokut befason me deklaratën: Po mendoj pensionimin, synoj të bëhem hoxhë

Lajme

Mbrojtësi i Manchester Unitedit dhe i përfaqësueses së Marokut, Noussair Mazraoui, ka sinjalizuar se Kupa e Botës 2026 mund të jetë gara e fundit e tij si futbollist profesionist.

28-vjeçari nuk po e shqyrton largimin nga futbolli për shkak të dëmtimeve apo rënies në formë, por sepse dëshiron të ndjekë një drejtim krejt tjetër në jetën e tij.


Në një intervistë të dhënë në mars 2026, Mazraoui bëri të ditur se synon t’i përkushtohet studimeve të fesë islame, me dëshirën për ta mësuar përmendësh Kuranin dhe që në të ardhmen të bëhet imam.

“Mund të vendos të pensionohem pas Kupës së Botës. Jeta është e shkurtër. Dua ta mësoj përmendësh Kuranin dhe një ditë të bëhem hoxhë i një xhamie”, ishte shprehur Mazraoui.

Kjo deklaratë ka rikthyer vëmendjen edhe gjatë qershorit 2026, në kohën kur Maroku ka nisur rrugëtimin e tij në Kupën e Botës. Sidoqoftë, futbollisti ende nuk ka dhënë një datë të saktë për pensionimin, duke e lënë të hapur mundësinë që karriera e tij të vazhdojë edhe pas turneut.

Mësimi përmendësh i plotë i Kuranit, i njohur si “hifz”, kërkon vite të shumta përkushtimi dhe studimi intensiv. Në të njëjtën kohë, roli i imamit nuk lidhet vetëm me njohjen e thellë të teksteve fetare, por edhe me udhëheqjen shpirtërore dhe shërbimin ndaj komunitetit.

Nëse zgjedh ta vërë në jetë këtë plan, Mazraoui do t’i japë fund futbollit në një moshë relativisht të re për standardet e sotme, duke përqafuar një mision krejt ndryshe nga ai që e ka bërë të njohur në skenën ndërkombëtare./

Promo