Mërgim Vojvoda është optimist se Udinese do t’i japë fund së shpejti serisë pa fitore në Serie A. Futbollisti kosovar e sheh pikën e marrë ndaj Bolognas si shenjë pozitive për skuadrën.
Barazimi 1:1 erdhi në një periudhë të vështirë për Udinesen, që renditet e parafundit në tabelë. Në dhjetë ndeshjet e fundit të kampionatit, ekipi ka marrë vetëm dy barazime dhe ka pësuar tetë humbje, duke grumbulluar gjithsej gjashtë pikë.
Fitorja e fundit e skuadrës daton më 29 shtator, kur mposhti Monzan në transfertë. Ndeshjen e ardhshme, Udinese do ta zhvillojë në shtëpi kundër Fiorentinës.
“Kjo pikë ishte e nevojshme për ekipin dhe, në të vërtetë, për të gjithë klubin. Pas kaq shumë humbjesh, për ne ajo është si një fitore”, u shpreh Vojvoda.
Para nisjes së këtij sezoni, Vojvoda u largua nga Como dhe iu bashkua Udineses. Ai ka kontratë me klubin deri në vitin 2028 dhe deri tani ka luajtur në 12 ndeshje të Serie A.
