VIDEO/ Paraguai befason Gjermaninë dhe e nxjerr nga Kupa e Botës pas penalltive

VIDEO/ Paraguai befason Gjermaninë dhe e nxjerr nga Kupa e Botës pas penalltive

Lajme

Paraguai ka siguruar kalimin në fazën tjetër të Kupës së Botës, pasi e eliminoi Gjermaninë në raundin e 1/16 së finales pas goditjeve të penalltive. Ndeshja u mbyll 1:1 pas kohës së rregullt dhe vazhdimeve, ndërsa nga pika e bardhë më të qetë u treguan paraguajanët.

Gjermanët e nisën sfidën me qasje dukshëm sulmuese. Julian Nagelsmann zgjodhi të aktivizonte dy sulmues, me Kai Havertzin të vendosur në rolin e “dhjetëshit” dhe Deniz Undav si lojtarin më të avancuar në repartin ofensiv.

Që në çastet e para, Gjermania ushtroi trysni të madhe ndaj kundërshtarit. Pjesën më të madhe të fraksionit të parë, Paraguai u detyrua të qëndronte në mbrojtje, i pozicionuar rreth 30 metra larg portës së vet. Megjithatë, epërsia territoriale e gjermanëve nuk prodhoi raste të pastra, pasi paraguajanët u mbrojtën me shumë disiplinë, duke i ndërprerë aksionet me faulle taktike dhe ndërhyrje të sakta.

Momenti që ndryshoi rrjedhën e pjesës së parë erdhi në minutën e 42-të. Në një prej daljeve të rralla në gjysmën e fushës gjermane, Mathias Galarza harkoi nga krahu i djathtë dhe Julio Enciso, i lënë i lirë në zonë, goditi saktë me kokë për të mposhtur portierin gjerman dhe për ta çuar rezultatin në 1:0.

Në pjesën e dytë, Gjermania reagoi dhe arriti të barazojë në minutën e 54-të. Pas një aksioni tjetër të ndërtuar nga krahët, Florian Wirtz provoi drejt portës, ndërsa Kai Havertz e devijoi topin me kokë në shtyllën e parë, duke e dërguar në rrjetë për 1:1.

Edhe pse të dyja skuadrat kërkuan golin vendimtar, rezultati nuk ndryshoi as pas 120 minutave dhe gjithçka u vendos nga penalltitë.

Në serinë e goditjeve nga pika e bardhë, Paraguai ishte më i saktë dhe realizoi një nga befasitë më të mëdha të këtij Botërori, duke nxjerrë jashtë një nga favoritët për trofeun me rezultat 3-4. (SHIKONI PENALLTITË)

Falë këtij suksesi, Paraguai ka prerë biletën për në 1/8 e finales, ku do të ndeshet me fituesin e përballjes mes Francës dhe Suedisë.

Promo