Tuchel tregon mesazhin që u dha lojtarëve në pushimin mes pjesëve

Lajme

Thomas Tuchel e dinte jo vetëm çfarë duhej të thoshte, por edhe si duhej të vepronte. Kur futbollistët e Anglisë u rikthyen në dhomën e zhveshjes në Dallas pas dy golave të pësuar ndaj Kroacisë në 45 minutat e para, trajneri gjerman nuk nxitoi. Në vend të panikut, ai zgjodhi qetësinë, duke vendosur bazat për përmbysjen dhe fitoren 4-2 në ndeshjen e parë të Kupës së Botës.

Fillimisht, ai u kërkoi lojtarëve të tij të rinj të uleshin dhe të merrnin frymë. Ndërsa shumë tifozë mund të kenë menduar “Anglia tipike”, Tuchel synoi të sillte një qasje tjetër.


“U ula me ta. U dhashë kohë të rikuperoheshin të qetë. U kërkova të qetësoheshin. Sapo kishim pësuar një gol. Ishte thelbësore t’u qetësonim nervat dhe më pas t’i nxisnim të luanin në mënyrën tonë”, shpjegoi fillimisht Tuchel.

Ajo që ndodhi në pjesën e dytë mund të shihet si një konfirmim i vendimit të drejtë të Federatës Angleze të Futbollit për të angazhuar një trajner fitues trofesh me një pagë vjetore prej pesë milionë funtesh (afërsisht 5.8 milionë euro).

“U thashë se mendimi im për ta dhe për 17 ditët e fundit nuk do të ndryshojë për shkak të këtij rezultati. U theksova se, pavarësisht rezultatit, dua që të luajnë në mënyrën e tyre, në mënyrën tonë. Dua që të jenë të guximshëm, intensivë, të sulmojnë përpara dhe ta bëjnë këtë së bashku. Të synojnë vetëm fitoren, të përpiqen të marrin kontrollin dhe të jenë aktivë”.

“I inkurajova. Ishte një bisedë e shkurtër dhe e qetë. Nëse ata thonë se kjo ndihmoi, edhe më mirë. Por ky ishte mesazhi kryesor, thjesht t’i inkurajoja dhe t’u thosha se ne u besojmë dhe se nuk kanë absolutisht asgjë për të cilën duhet të kenë frikë. Mesazhi ishte: ‘le të shkojmë për fitoren’ dhe ‘të jemi aktivë’”, përfundoi strategu gjerman.

Promo