Tuchel nuk do ta këndojë ende himnin anglez, gjermani tregon pse

Lajme

Trajneri gjerman Thomas Tuchel ka deklaruar se në Angli ndihet si në shtëpinë e tij, megjithëse ende nuk është gati ta këndojë himnin kombëtar.

Tuchel, i cili po bëhet gati ta drejtojë Anglinë për herë të parë në Kupën e Botës, u shpreh se mendon se ende nuk e ka fituar të drejtën për të kënduar himnin “Zoti e ruajt Mbretin”, por theksoi qartë se synon të fitojë përkrahjen e vendit dhe ta udhëheqë skuadrën drejt lavdisë këtë verë.


Gjermani ka ndërtuar një lidhje të fortë me vendin që e ka pritur mirë, në prag të ndeshjes vendimtare hapëse të grupit ndaj Kroacisë. Kur u pyet nëse do ta këndonte himnin, ai u përgjigj negativisht dhe shpjegoi arsyen.

“Jo ende, nuk besoj se kemi mbërritur në atë pikë. Ndoshta krejt në fund, por ende ndihem pak i turpshëm. Nuk dua të ofendoj askënd dhe as që vëmendja të kalojë te kjo çështje tani”, ka thënë fillimisht Tuchel.

“Por në thelb, ndihem si në shtëpi kur zbres, kur fluturoj për t’u kthyer në shtëpi. Tani do të thosha ‘fluturoj për në shtëpi’ kur kthehem në shtëpinë time në Londër. Ndihem si në shtëpi kur zbres në Londër dhe kur jam në Angli”.

Ai nënvizoi se për të është një nder i madh të jetë në krye të Anglisë.

“Po, kështu ndihem. Nuk mund ta shpjegoj, por kështu ka qenë që në javët e para te Chelsea. Ishte thjesht një ndjenjë e mrekullueshme të ishe në fshat, sigurisht edhe në qytet, dhe të ishe pjesë e Ligës Premier”.

“Pothuajse çdo ditë ishte si një dhuratë, ndihesha sikur isha në vendin e duhur me mentalitetin e duhur si lojtar. Ajo që liga nxjerr nga lojtarët dhe ajo që tifozët presin prej tyre dhe nga trajneri… e gjithë kjo më bëri të ndihem shumë rehat”.

“Më pëlqeu që nga dita e parë, për mua ishte shumë e lehtë të përshtatesha. Kjo është arsyeja pse nuk mund ta them kurrë mjaftueshëm shpesh: jam mirënjohës dhe është një nder të jem trajneri i Anglisë. Askush nuk e dëshiron më shumë se unë”, përfundoi trajneri gjerman.

Promo