Spektakël me katër gola në pjesën e parë, Anglia dhe Kroacia e mbyllin 2-2

Lajme

Anglia dhe Kroacia kanë sjellë një pjesë të parë plot spektakël në ndeshjen e Grupit L të Kupës së Botës 2026, duke realizuar nga dy gola secila dhe duke e mbyllur 45-minutëshin e parë në barazim 2-2.

Takimi nisi në mënyrën më të mirë për anglezët, të cilët fituan një penallti në minutën e nëntë pas një ndërhyrjeje të Luka Modric ndaj një lojtari kundërshtar.


Harry Kane u ndal fillimisht nga Dominik Livakovic nga pika e bardhë, por arbitri Clement Turpin vendosi që penalltia të përsëritej.

Në provën e dytë, kapiteni i Anglisë nuk gaboi dhe në minutën e 12-të i dha avantazhin 1-0 skuadrës së drejtuar nga Thomas Tuchel.

Kroacia reagoi pas gjysmë ore lojë dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 36-të. Petar Sucic përfitoi nga një hapësirë e madhe në mbrojtjen angleze dhe pasoi për Martin Baturinën, i cili me një finalizim të qetë mposhti portierin anglez për 1-1.

Gjithsesi, festa e kroatëve zgjati pak. Në minutën e 42-të, Declan Rice ekzekutoi një goditje nga këndi dhe Harry Kane u ngrit më lart se të gjithë në zonë për të shënuar me kokë golin e tij të dytë personal, duke rikthyer Anglinë në epërsi 2-1.

Kur gjithçka linte të kuptohej se skuadrat do të shkonin në pushim me avantazhin minimal të anglezëve, Kroacia goditi në çastin ideal.

Në minutën e pestë shtesë të pjesës së parë, Ivan Perisic dërgoi një top të rrezikshëm në zonë, ndërsa Petar Musa u gjend në vendin e duhur për ta shtyrë në rrjetë dhe për të barazuar rezultatin në 2-2.

Promo