Skenë e pazakontë në Botëror: tifozët e Kroacisë dhe Anglisë protestojnë së bashku në tribuna

Lajme

Kroacia e nisi me humbje rrugëtimin e saj në Kupën e Botës 2026, pasi u mund 4-2 nga Anglia në ndeshjen hapëse të Grupit L, të luajtur në Dallas. Edhe pse kroatët arritën ta barazonin rezultatin dy herë gjatë pjesës së parë, anglezët u treguan më të fortë në vazhdim dhe morën tri pikët.

Anglia kaloi në avantazh në minutën e 12-të me Harry Kane, i cili shënoi nga penalltia, por Kroacia reagoi menjëherë. Martin Baturina realizoi një gol shumë të bukur për 1-1, pas një asistimi të shkëlqyer nga Petar Sučić. Pak para fundit të pjesës së parë, Kane shënoi sërish, këtë herë me kokë pas një goditjeje nga këndi, ndërsa Petar Musa vendosi sërish baraspeshën me golin e 2-2 në çastet e fundit të fraksionit të parë.


Në pjesën e dytë, Anglia u shfaq më dominuese dhe e mbylli ndeshjen në favorin e saj falë golave të Jude Bellingham dhe Marcus Rashford, duke e lënë Kroacinë pa pikë në nisje të Botërorit.

Përtej asaj që ndodhi në fushë, vëmendje mori edhe reagimi i tifozëve në tribunat e stadiumit. Përkrahësit e Kroacisë dhe Anglisë, që kishin kaluar gjithë ditën së bashku pa asnjë problem, krijuan një atmosferë shumë të mirë në Dallas.

Megjithatë, në minutën e 22-të, kur arbitri francez Clement Turpin e ndërpreu takimin për një pushim freskimi, nga tribunat u dëgjuan shumë fishkëllima. Tifozët e të dyja skuadrave kombëtare shprehën pakënaqësinë ndaj këtyre ndërprerjeve të detyruara, të cilat sipas shumë prej tyre prishin ritmin e lojës dhe ndikojnë negativisht në zhvillimin e ndeshjeve.

Protesta e përbashkët e tifozëve të Kroacisë dhe Anglisë ishte një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes, duke treguar se kundërshtarët në fushë mund të bashkohen kur bëhet fjalë për mbrojtjen e asaj që ata e konsiderojnë si fryma e futbollit.

Promo