Në dhjetor të vitit të kaluar, FIFA bëri të ditur se pushimet për hidratim do të ishin të detyrueshme në çdo ndeshje të Kupës së Botës 2026. Duke marrë parasysh kushtet klimatike në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada gjatë qershorit dhe korrikut, kishte shqetësime se ky turne mund të bëhej Botërori më i nxehtë i zhvilluar ndonjëherë.
Por tani që kompeticioni ka nisur, këto ndërprerje janë kthyer në një prej çështjeve më të përfolura të Botërorit, duke sjellë reagime të ndryshme nga trajnerë, lojtarë dhe analistë.
Shpjegimi është i thjeshtë: një takim i luajtur në temperatura të larta ka të njëjtin pushim treminutësh për hidratim si një ndeshje e zhvilluar në kushte shumë më të favorshme atmosferike, siç mund të ndodhë në Toronto në mbrëmje, ku temperatura mesatare ishte vetëm 19 gradë Celsius, apo në stadiume me çati të lëvizshme dhe sisteme të kontrollit klimatik, si në Houston ose Dallas.
Ndeshje të ndara në katër pjesë
“Nuk më pëlqen. E kuptoj nëse kushtet janë ekstreme, por kur temperaturat janë normale, më duket e panevojshme”, u shpreh trajneri i Shteteve të Bashkuara, Mauricio Pochettino.
Të njëjtin qëndrim ndau edhe mesfushori i Spanjës, Mikel Merino.
“Në shumë stadiume të mbyllura, ku temperatura nuk përbën problem, loja ndërpritet pa një arsye bindëse. Kjo nuk është pozitive për tifozët, sepse ritmi i ndeshjes prishet dhe loja bëhet më e lexueshme”.
“Ndikimi është i madh, sepse trajnerët kanë mundësi të bëjnë korrigjime taktike dhe të ndikojnë në rrjedhën e ndeshjes. Duhet të përshtatemi me këtë realitet të ri”, tha Merino.
Përshtypja se pushimet për hidratim po kthehen dalëngadalë në “pushime taktike” po përhapet gjithnjë e më shumë. Kjo ka hapur debat edhe për efektin që këto ndërprerje kanë mbi ritmin natyror të lojës.
Edhe kapiteni i Holandës, Virgil Van Dijk, ka shfaqur dyshime.
“Pushimet për hidratim më duken disi të çuditshme. Kam parë pothuajse çdo ndeshje deri tani dhe sa herë vjen ky moment, transmetimi kalon menjëherë te reklamat. Nuk besoj se kjo është diçka e mirë për shikuesit neutralë para televizorit”, deklaroi mbrojtësi holandez.
Debati në radhët e trajnerëve
“Kjo e ndryshon ndjeshëm mënyrën se si punojmë ne trajnerët dhe stafet teknike. Më parë, puna taktike përqendrohej para ndeshjes, në pushimin mes pjesëve dhe pas saj. Tani kemi edhe dy momente të tjera për ndërhyrje taktike”.
“Në njëfarë kuptimi, ndeshja ndahet në katër periudha dhe ky është një ndryshim shumë i madh”, tha trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez.
Megjithatë, pavarësisht kritikave, pjesa më e madhe e trajnerëve duket se e mbështet vendimin e FIFA-s.
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, e sheh atë si të domosdoshëm në rrethana të caktuara.
“Në kushte ekstreme, kjo është zgjidhja e duhur. Lojtarët kanë nevojë për kohë për t’u rikuperuar. Është e vërtetë që në disa stadiume mund të mos jetë e nevojshme, por të gjithë i kemi parë temperaturat dhe lagështinë me të cilat po përballemi çdo ditë. Këto pushime ndihmojnë për të rifituar energjinë dhe për të ruajtur nivelin e performancës”, tha ai.
Një shembull konkret solli edhe trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, i cili pranoi se pushimi për hidratim pati rëndësi gjatë ndeshjes kundër Curaçaos, kur rezultati ishte 1-1.
“Na duhej pak kohë për të reaguar. Pushimi për hidratim na dha mundësinë të rishihnim disa nga udhëzimet taktike që kishim diskutuar më parë dhe të korrigjonim disa detaje në lojë”, u shpreh Nagelsmann.


