Mauricio Pochettino pritet të ndryshojë mënyrën se si Manchester United përgatitet fizikisht, duke sjellë një sërë kërkesash të reja që në fillim të punës së tij në drejtimin e ekipit.
Një prej ndryshimeve të planifikuara ka të bëjë me ditën pas ndeshjeve: trajneri argjentinas kërkon që lojtarët të shkojnë në qendrën stërvitore Carrington për të kryer ushtrime rikuperimi. Kjo praktikë dallon nga ajo e Michael Carrick, i cili, sipas raportimeve, u linte futbollistëve një ditë të plotë pushimi pas takimeve.
Sipas The Sun, Pochettino ka përgatitur edhe stafin që do ta shoqërojë në “Old Trafford”. Mes tyre është djali i tij, Sebastiano Pochettino, i cili më herët ka punuar si trajner i përgatitjes fizike me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa Carrick ishte në krye, klubi nuk kishte një specialist të përgatitjes fizike të përzgjedhur nga trajneri. Manchester United vijoi të bashkëpunonte me Charlie Owen, në këtë rol që prej vitit 2019, kur u promovua brenda klubit gjatë drejtimit të Ole Gunnar Solskjaer.
Seancat e përgatitura nga Owen, sipas The Sun, kishin marrë miratimin e Mitchell Van der Gaag, ish-ndihmësit të Erik Ten Hagut, si edhe të futbollistëve.
Megjithatë, të dhënat e këtij sezoni sugjerojnë se skuadra ka mangësi fizike. Në Ligën Premier, Manchester United është i 19-ti për distancën e përgjithshme të përshkuar, i 17-ti për distancën e vrapimit me shpejtësi të lartë dhe përsëri i 19-ti për shpejtësinë mesatare maksimale.
I emëruar në vend të Michael Carrick, Pochettino synon të ndryshojë disa zakone të krijuara te klubi dhe të vendosë standarde më të larta për përgatitjen e rikuperimin. Ndryshe nga paraardhësi i tij, ai do të ketë në projektin e vet një specialist të përgatitjes fizike.
Debutimi i tij pritet të jetë një provë e vështirë, pasi United do të luajë kundër rivalit të përbetuar, Liverpoolit. Përgatitja për këtë ndeshje mund të ndërlikohet nga angazhimet që Pochettino do të vazhdojë me SHBA-të gjatë javës para takimit.
