Përse Paraguai do të jetë ndër vendet pritëse të Kupës së Botës 2030?

Përse Paraguai do të jetë ndër vendet pritëse të Kupës së Botës 2030?

Lajme

Kupa e Botës 2030 do të luhet kryesisht në Spanjë, Portugali dhe Marok, por ky turne do të nisë me një hapje të veçantë historike edhe në Amerikën e Jugut, ku ndeshjet e para do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai.

FIFA ka vendosur që sfidat hapëse të luhen në tre vende me peshë të madhe në historinë e futbollit botëror, në shenjë të 100-vjetorit të Kupës së Botës.

Uruguai u përfshi sepse ishte mikpritësi i turneut të parë në vitin 1930. Argjentina u përzgjodh si finaliste e asaj gare historike, ndërsa Paraguai u fut në këtë grup për arsye simbolike dhe për shkak të përfaqësimit rajonal të futbollit të Amerikës së Jugut.

Paraguai është përfshirë mes vendeve pritëse të ndeshjeve hapëse për të vlerësuar kontributin e tij në futbollin ndërkombëtar dhe rolin që luan si anëtar i CONMEBOL.

Po ashtu, Paraguai ishte një nga gjashtë përfaqësueset e Amerikës së Jugut që morën pjesë në Kupën e parë të Botës në vitin 1930, së bashku me Uruguain, Argjentinën, Brazilin, Kilin dhe Perunë.

Edhe pse atëherë nuk arriti të kalonte fazën e grupeve, ky shtet mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit në rajon.

Ashtu si Spanja, Portugalia, Maroku, Uruguai dhe Argjentina, edhe Paraguai do të kualifikohet automatikisht për Kupën e Botës 2030 si vend pritës.

Për herë të parë, një Kupë Bote do të ketë fillimin e saj të shpërndarë në mënyrë simbolike në tre kontinente të ndryshme, duke e lidhur traditën e turneut me fazën e tij moderne.

FIFA synon që “Kupa e Botës së 100-vjetorit” të mbetet një prej edicioneve më të veçanta në historinë e futbollit botëror.

Promo