Randal Kolo Muani dhe Juventusi kanë mbyllur me sukses marrëveshjen për kushtet personale, si për pagën ashtu edhe për kohëzgjatjen e kontratës, ndërsa drejtori Giovanni Carnevali po hyn në një fazë vendimtare bisedimesh me drejtuesit e PSG-së.
Sipas mediave italiane, sulmuesi francez synon të rikthehet në Torino, i bindur nga eksperienca pozitive që pati në huazim gjatë gjysmës së dytë të sezonit 2024/25, periudhë në të cilën shënoi tetë gola në 16 ndeshje në Serie A me Juventusin.
Për të bërë të mundur kthimin në Itali, Kolo Muani thuhet se ka pranuar të ulë pagën që merr aktualisht te klubi parizien. Akordi i arritur me Juventusin parashikon një kontratë pesëvjeçare me një përfitim prej rreth pesë milionë eurosh në sezon.
Nëse operacioni mbyllet me sukses, francezi do të renditej si lojtari i tretë më i paguar i skuadrës, pas Kenan Yildiz dhe Jonathan David, nëse ky i fundit vijon të jetë pjesë e ekipit.
Në këtë moment, hapi vendimtar mbetet marrëveshja mes Juventusit dhe PSG-së. Carnevali pritet të takohet me drejtorin sportiv të kampionëve të Francës, Jorge Campos, me të cilin ka raporte shumë të mira personale.
Njëkohësisht, drejtori i klubit bardhezi po përpiqet të rregullojë edhe marrëdhëniet mes dy klubeve, të cilat u tensionuan pas dështimit të kalimit të Kolo Muanit në ditët e fundit të afatit kalimtar veror të kaluar.
Raportimet më të fundit bëjnë të ditur se Juventusi është i gatshëm të shpenzojë deri në 35 milionë euro, bashkë me bonuset, për kartonin e sulmuesit francez, ndërsa PSG vijon të kërkojë 40 milionë euro si shumë fikse.



