Ballkani ka regjistruar një fitore me peshë në përballjen e javës së 14-të të Superligës së Kosovës, pasi mposhti Gjilanin 3-1 falë një përmbysjeje spektakolare në minutat e fundit.
Në 45 minutat e para të takimit, të dyja skuadrat u përpoqën të gjenin rrugën drejt rrjetës, por asnjëra nuk ia doli dhe pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0.
Gjilani kaloi në avantazh në minutën e 73-të. Pas një rishikimi nga VAR-i, gjyqtari vendosi penallti për ekipin mysafir dhe Armend Thaqi u tregua i saktë nga pika e bardhë për të shënuar 1-0.
Vendasit reaguan shpejt dhe vetëm pesë minuta më pas arritën të barazojnë shifrat. Albin Berisha shënoi golin e 1-1 pas një pasimi të Diar Nikqit.
Situata u ndërlikua më tej për Gjilanin në minutën e 87-të, kur Arbër Potoku mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën e tij me një lojtar më pak.
Ballkani e shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në minutën e 89-të përmbysi rezultatin. Diar Nikqi ishte në vendin e duhur për ta çuar topin në rrjetë dhe për të bërë 2-1.
Fitoren e ekipit vendas e vulosi Abou Dosso, i cili realizoi në minutën e 90+4-t për të vendosur shifrat përfundimtare 3-1.
Pas kësaj fitoreje, Ballkani dhe Gjilani kanë nga 22 pikë dhe zënë vendin e katërt e të pestë në renditjen e Superligës së Kosovës.
