“Nuk ndjeja aspak pjesën e sipërme të këmbës”, Van Dijk rrëfen pas dëmtimit ndaj Suedisë

Lajme

Virgil van Dijk ka treguar se kaloi një moment shqetësues gjatë fitores së thellë 5-1 të Holandës kundër Suedisë në Kupën e Botës 2026, pasi një përplasje e fortë e la përkohësisht pa ndjesi në pjesën e sipërme të këmbës.

Kapiteni i Liverpoolit e pësoi goditjen në zonën e ijeve, por pavarësisht shqetësimit, ai ia doli ta mbyllte ndeshjen në fushë, duke ndihmuar Holandën të marrë tre pikët.


Duke folur pas ndeshjes, qendërmbrojtësi holandez sqaroi episodin e pazakontë që përjetoi gjatë lojës.

“Mora një goditje të fortë në ijë dhe nuk ndjeja më pjesën e sipërme të këmbës, kështu që ishte pak e çmendur”.

“Me shumë mundësi ishte vetëm një nerv i shtypur”, u shpreh Van Dijk për NOS.

Megjithëse në fillim pati frikë, mbrojtësi nuk duket se ka pësuar ndonjë dëmtim serioz, duke qetësuar kështu tifozët e Holandës dhe Liverpoolit përpara fazës vendimtare të turneut.

“Besoj se nuk është diçka serioze, por do ta kuptojmë shumë shpejt”, shtoi ai.

Paraqitja e Van Dijkut në fushë dhe fakti që arriti ta përfundojë takimin janë shenja inkurajuese për Holandën, e cila synon të shkojë sa më larg në Kupën e Botës 2026./

Promo