Kombëtarja e Bosnjës dhe Hercegovinës do të dalë sonte në fushë për ndeshjen e raundit të dytë të fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026, ku do të përballet me Zvicrën në një prej stadiumeve më imponuese të këtij turneu.
Ndeshja do të luhet në arenën e njohur si ‘SoFi Stadium’, që ndodhet në Inglewood, afër Los Angelesit.
Për qëllimet e Botërorit 2026, stadiumi po prezantohet me emrin “Los Angeles Stadium” dhe është një nga impiantet që do të presë numrin më të madh të ndeshjeve në këtë kampionat, me tetë përballje të planifikuara gjatë muajve qershor dhe korrik.
Bosnja dhe Hercegovina e nisi garën me një barazim ndaj Kanadasë, duke marrë një pikë, po aq sa edhe Zvicra, e cila në takimin e saj të parë barazoi me Katarin.
Për këtë arsye, dueli i sotëm shihet si përcaktues në luftën për kualifikim.
Ky stadium është zakonisht shtëpia e skuadrave të NFL-së, Los Angeles Rams dhe Los Angeles Chargers, ndërsa njëkohësisht përdoret edhe për koncerte dhe evente të mëdha sportive.
Edhe pse njihet si stadium i Los Angelesit, nga pikëpamja administrative ai gjendet në qytetin e Inglewoodit.
Në kuadër të organizimit të Botërorit, arena ka kaluar disa përshtatje të rëndësishme, ku ndryshimi më i dukshëm ishte zëvendësimi i fushës artificiale me bar natyral, sipas kërkesave të FIFA-s.
Si rezultat i këtij procesi, niveli i sipërfaqes së lojës është ngritur ndjeshëm në krahasim me përdorimin e zakonshëm të stadiumit.
Kapaciteti i arenës i kalon 70 mijë ulëset dhe pritet që Bosnja dhe Hercegovina të ketë përkrahje të madhe nga tifozët në tribuna.
‘SoFi Stadium’ konsiderohet një nga arenat më prestigjioze në botë. Në vitin 2022 ai priti finalen e Super Bowl LVI, ndërsa në vitin 2023 ishte vendi ku u zhvillua eventi i madh i WWE-së, WrestleMania.
Po ashtu, në vitin 2027 aty do të organizohet edhe Super Bowl LXI.
Roli i këtij kompleksi do të marrë edhe më shumë peshë në vitin 2028, kur do të shërbejë si vendi i ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Los Angeles 2028, ndërsa do të shndërrohet në qendrën më të madhe olimpike të notit në historinë e Lojërave.
Stadiumi u ndërtua në periudhën 2016–2020 dhe kostoja e tij arriti rreth 6 miliardë dollarë, çka e bën stadiumin më të shtrenjtë të ndërtuar ndonjëherë në botë.


