Kur Deniz Undav realizoi dy gola dhe i siguroi Gjermanisë kalimin në fazën tjetër të Kupës së Botës 2026, miliona tifozë festuan një nga heronjtë e rinj të “Die Mannschaft”. Por vetëm pak vite më parë, një histori e tillë dukej e paimagjinueshme. Madje, as ai vetë nuk do ta kishte besuar.
Rruga e tij duket si skenar filmi: nga ligat e ulëta dhe largimet nga klubet, deri te shkëlqimi me Stuttgartin dhe kombëtaren gjermane.
“Kur isha 18 ose 19 vjeç, nuk mendoja se do t’ia dilja. Edhe sot, ndonjëherë, më duket si një ëndërr”, ka pranuar sulmuesi gjerman me origjinë kurde.
Historia e tij nuk filloi në stadiume plot apo në akademi të famshme, por në fushat e kategorive të ulëta të futbollit gjerman, aty ku ëndrrat shpesh shuhen pa marrë ende formë.
“Fundi” i një ëndrre në moshën 16-vjeçare
Kur ishte fëmijë, Undav iu bashkua akademisë së Werder Bremenit dhe ëndërronte të bëhej futbollist profesionist. Por në moshën 16-vjeçare, klubi vendosi ta largonte, duke e vlerësuar si fizikisht të pazhvilluar për nivelin e kërkuar.
Ky vendim ishte një goditje e fortë për të.
“Kjo më dhembi shumë. Sidomos sepse isha një djalë nga rajoni i Bremenit. M’u deshën disa ditë që ta pranoja, por më pas vendosa të shihja përpara”, ka kujtuar ai.
Megjithatë, periudha më e vështirë e karrierës së tij do të vinte disa vite më pas. Edhe pse vazhdonte të shënonte në kategoritë e ulëta, ofertat nuk po vinin dhe karriera e tij dukej në vendnumëro.
Në moshën 19-vjeçare, ai mendoi seriozisht ta linte futbollin.
“Thjesht nuk doja më. I thashë vetes se nuk kishte kuptim. Shënoja gjithmonë gola, por askush nuk më jepte një mundësi”, tregon ai.
Babai dhe xhaxhai që e bindën të vazhdonte
Në çastin më të vështirë të jetës së tij sportive, rol vendimtar luajtën babai dhe xhaxhai i tij.
“Falë këshillave të tyre vazhdova. Po të isha dorëzuar atëherë, ndoshta sot do të punoja në ndonjë kompani dhe do të bëja një jetë krejt normale”, rrëfen sulmuesi.
Në ato vite, futbolli nuk i mjaftonte për të siguruar jetesën. Gjatë ditës punonte si operator makinerish me lazer, ndërsa në mbrëmje stërvitej dhe luante futboll.
Ai kaloi te skuadra si TSV Havelse, Eintracht Braunschweig II dhe Meppen, duke mbetur për vite me radhë pjesë e futbollit gjysmë-profesionist dhe kategorive të ulëta në Gjermani.
Debutimi si profesionist erdhi vetëm në moshën 23-vjeçare
Ndryshe nga shumica e futbollistëve që shpërthejnë që në adoleshencë, Undav e bëri debutimin në futbollin profesionist vetëm në moshën 23-vjeçare.
Deri në atë moment, ëndrra për të luajtur në nivelet më të larta dukej thuajse e paarritshme. Vështirësitë financiare ishin të mëdha dhe ai detyrohej të jetonte me shumë pak të ardhura.
“Duhej të mbijetoja me 100 euro në muaj. Në fund të muajit haja vetëm bukë të thekur me sallatë lakre. Kur kisha pak më shumë para, shtoja edhe majonezë”.
Për të fituar disa euro më tepër, ai mblidhte dhe kthente shishe plastike.
“Edhe sot nuk e humbas respektin për paranë, sepse e di çfarë do të thotë të mos kesh”, vazhdon ai.
Ish-trajneri i tij, Jens Janssen, kujton se Undav nuk ishte lojtari më i disiplinuar, por zotëronte një instinkt të jashtëzakonshëm për golin.
“Ishte i shkurtër, i fortë dhe pak dembel. Vrapimi nuk ishte pika e tij më e fortë, por kishte talent të jashtëzakonshëm. Gjithmonë donte të shënonte”.
Madje, sa herë trajneri i kërkonte të pasonte më shpesh, përgjigjja e tij ishte gjithmonë e njëjtë: “Ja ku është porta, topi duhet të shkojë atje”.
Telefonata që i ndryshoi jetën
Në vitin 2020 erdhi momenti që ndryshoi gjithçka. Klubi belg Union Saint-Gilloise, i cili në atë kohë luante në kategorinë e dytë, vendosi t’i besonte një sulmuesi që shumica e klubeve nuk e shihnin si talent të madh.
Kjo ishte pika e nisjes së historisë së tij të suksesit. Në sezonin e parë, ai shënoi 17 gola dhe ndihmoi Unionin të rikthehej në elitën e futbollit belg pas 48 vitesh mungesë.
Një vit më pas shpërtheu plotësisht. Realizoi 27 gola dhe dhuroi 13 asistime, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit belg dhe duke e afruar skuadrën shumë pranë titullit kampion.
Megjithatë, edhe në atë periudhë ai nuk e imagjinonte se do të arrinte në majat e futbollit evropian.
“Sinqerisht, nuk mendoja se do të luaja ndonjëherë në Ligën Premier ose në Bundesliga. Gjithçka më dukej shumë larg”, ka thënë Undav.
Nga Brighton te Bundesliga
Paraqitjet e tij bindën Brightonin të investonte rreth 7 milionë euro për transferimin e tij në verën e vitit 2022.
Karriera e tij më pas mori hov të madh. Pas një sezoni shumë të mirë në huazim te Stuttgarti, klubi gjerman vendosi ta blinte për rreth 27 milionë euro, duke e bërë një nga transferimet më të shtrenjta në historinë e klubit.
Nga një futbollist që dikur mezi siguronte ushqimin e muajit, Undav u kthye në një nga sulmuesit më të vlerësuar të Bundesligës.
Gruaja që e ndihmoi të bëhej profesionist i vërtetë
Vetë futbollisti pranon se një ndikim të madh në transformimin e tij ka pasur bashkëshortja e tij, Tanja.
“Para se ta njihja, nuk jetoja si profesionist. Haja çfarë të doja, flija vonë dhe nuk kujdesesha sa duhet për veten. Ajo më vendosi në rrugën e duhur”.
Sipas tij, mbështetja që gjen në familje është një nga arsyet kryesore të suksesit të tij.
“Kur kthehem në shtëpi, e di se kam dikë tek i cili mund të besoj plotësisht. Kjo është shumë e rëndësishme për mua”.
Heroi i ri i Gjermanisë
Sot, në moshën 29-vjeçare, Deniz Undav është një nga emrat më të rëndësishëm të kombëtares gjermane dhe heroi i kualifikimit të saj në fazën tjetër të Kupës së Botës. Në ndeshjen e parë ndaj Curacaos, ai u aktivizua nga stoli, shënoi një gol dhe dha edhe dy asistime.
Sot ndaj Bregut të Fildishtë, skuadra e tij ishte në vështirësi dhe në disavantazh, por sapo hyri në lojë ai shënoi dy herë, duke i siguruar Gjermanisë kualifikimin në fazën tjetër.
Por historia e tij nuk matet vetëm me golat, milionat apo duartrokitjet.
Ajo matet me sakrificat e një djali që jetonte me 100 euro në muaj, që mendoi ta linte futbollin dhe që për vite të tëra luajti larg vëmendjes së publikut.
Sot ai është prova se talenti ka nevojë për durim, ndërsa ëndrrat më të mëdha shpesh u përkasin atyre që refuzojnë të dorëzohen, edhe kur askush tjetër nuk beson tek ata.


