Jose Mourinho nuk e sheh si të përfunduar ende merkaton e Real Madridit.
Sipas trajnerit portugez, përforcimet e bëra deri tani kanë sjellë zhvillim të dukshëm në skuadër, por ai vlerëson se duhen ende ndërhyrje në tri role thelbësore: një qendërmbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues qendre tipik “9”.
Në bazë të planit të hartuar nga stafi teknik, këto afrime mund ta çojnë faturën totale të shpenzimeve të klubit pranë 200 milionë eurove.
Një nga prioritetet kryesore të Mourinhos mbetet reparti defensiv.
Edhe pse ardhja e Ibrahima Konates ka rritur cilësinë në mbrojtje, tekniku mendon se ekipi ka nevojë edhe për një tjetër qendërmbrojtës, për shkak të problemeve fizike të hasura nga Antonio Rudiger dhe Eder Militao.
Emri që lakohet më shumë për këtë repart është Alessandro Bastoni i Interit, i konsideruar si një prej mbrojtësve më të vlerësuar në kontinent.
Megjithatë, një lëvizje për Bastonin lidhet drejtpërdrejt me largimin e Raul Asencios, pasi ai nuk konsiderohet pjesë e planeve kryesore të trajnerit.
Nëse Asencio mbetet në skuadër, klubi nuk pritet të bëjë hap për Bastonin, për të shmangur mbipopullimin në qendër të mbrojtjes.
Sa i takon mesfushës, objektivi numër një i Mourinhos është Enzo Fernandez i Chelseat.
Mesfushori argjentinas konsiderohet profili i duhur për mënyrën e lojës që kërkon portugezi, falë intensitetit, menaxhimit të ritmit dhe aftësisë për të ndërtuar aksione në ndeshje të mëdha.
Një transferim i tillë do të kushtëzohej nga largimi i një mesfushori aktual.
Si alternativa të mundshme për dalje përmenden Eduardo Camavinga dhe Aurelien Tchouameni, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka shprehur vullnet për t’u larguar.
Kërkesa e tretë e trajnerit është afrimi i një sulmuesi klasik qendre.
Nuk bëhet fjalë për një emër të madh, por për një futbollist me forcë fizike, efektiv në lojën në ajër dhe të aftë për të zhbllokuar ndeshje të vështira, me karakteristika të ngjashme me Joselu.
Në këtë drejtim, ndikim të drejtpërdrejtë mund të ketë e ardhmja e Gonzalo Garcias.
Nëse sulmuesi vendos të largohet për të pasur më shumë minuta, Real Madridi do të krijonte hapësirë për një afrim të ri në atë rol.
Në panoramën e përgjithshme, vihet re një diferencë mes asaj që kërkon trajneri dhe qasjes së presidencës.
Mourinho synon më shumë ekuilibër dhe alternativë në skuadër, ndërsa Florentino Perez nuk e heq nga skena mundësinë e një goditjeje të madhe në merkato për të ndezur entuziazmin e tifozëve, me emra si Michael Olise që qarkullojnë në prapaskenë.
Real Madridi vijon të mbetet aktiv në tregun e transferimeve, por çdo operacion i rëndësishëm do të varet nga shitjet.
Në “Santiago Bernabeu”, vera pritet të sjellë ende zhvillime të tjera me peshë.



