Jose Mourinho ka treguar se Samuel Eto’o nuk pati nevojë për asnjë shtysë shtesë nga ana e tij për sfidën kundër Barcelonës në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2009.
Gjatë verës së atij viti, sulmuesi kamerunas u largua nga skuadra katalanase, pasi Barcelona vendosi të afronte Zlatan Ibrahimovicin dhe ta përfshinte Eto’on në marrëveshjen me Interin.
Pak muaj më pas, shorti i Ligës së Kampionëve vendosi përballë Interin dhe Barcelonën në një nga përballjet më të paharrueshme në historinë e këtij kompeticioni. Sipas Mourinhos, ish-sulmuesi i tij ishte tashmë mjaftueshëm i motivuar dhe nuk kishte nevojë për ndërhyrje nga trajneri.
“Në Barcelonë e larguan atë. Nuk e donin më. Ata donin ta blinin Zlatan Ibrahimovicin dhe dëshironin që Eto’o të largohej”.
“Eto’o u largua nga Barcelona për te Interi dhe më pas perënditë e futbollit vendosën që gjysmëfinalja të ishte pikërisht kundër Barcelonës. Mendoni se duhej të bëja diçka për ta bindur atë lojtar? Jo. Ai e bëri vetë. Ai donte të fitonte”.
“Eto’o donte ta eliminonte Barcelonën nga Liga e Kampionëve. Ai donte të fitonte kundër tyre dhe donte ta fitonte Ligën e Kampionëve me çdo kusht”.
“Unë nuk bëra asgjë”, është shprehur Mourinho në një podcast të fundit.
Interi, nën drejtimin e trajnerit portugez, e nxori jashtë Barcelonën në gjysmëfinale dhe më pas triumfoi në Ligën e Kampionëve, duke vulosur një sezon historik me tripletën.
Nga ana tjetër, Ibrahimovici e përfundoi periudhën e tij te Barcelona pa arritur të fitonte trofeun më të rëndësishëm evropian për klube./


