Argjentina u rikthye në garë në sfidën dramatike përballë Egjiptit, kur deri në fund, bashkë me minutat shtesë, kishin mbetur rreth 15 minuta.
Skuadra e Lionel Scalonit gjendej në vështirësi të mëdha, pasi Egjipti kishte marrë avantazh 2-0 me golin e Yasser Ibrahim në minutën e 15-të dhe me realizimin e Mostafa Zikos në pjesën e dytë.
“Faraonët” rezultuan shumë të rrezikshëm në kundërsulm, duke ushtruar vazhdimisht presion ndaj kampionëve të botës.
Gjithsesi, argjentinasit nuk hoqën dorë. Në minutën e 79-të, Lionel Messi shërbeu për Cristian Romeron, i cili me kokë ngushtoi shifrat në 2-1 dhe rihapi takimin.
Pas vetëm katër minutash, Messi mori skenën kryesore. Ylli argjentinas goditi në mënyrë spektakolare me volej nga brenda zonës, ndërsa topi përfundoi në rrjetë pasi u përplas në traversë, duke sjellë barazimin 2-2.
Ky ishte reagimi i madh i Messit, i cili më parë në pjesën e parë kishte humbur edhe një penallti, pasi tentativa e tij ishte ndalur nga portieri Mostafa Shobeir.
Tashmë ndeshja mbetet krejtësisht e hapur, me Argjentinën që synon përmbysjen e plotë dhe me Egjiptin që kërkon të mbajë gjallë shpresat për një nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori.


