Lamine Yamal i ka qetësuar tifozët dhe stafin e kombëtares së Spanjës sa i përket gjendjes së tij fizike, pas barazimit 0-0 kundër Kepit të Gjelbër në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026.
Talenti i Barcelonës, që ishte rikthyer së fundmi pas një dëmtimi, hoqi çdo paqartësi për ndonjë problem të mundshëm fizik, duke dhënë një mesazh të shkurtër, por shumë pozitiv.
“Gjithçka është perfekte”, u shpreh Yamal për SPORT, duke bërë të ditur se ndihet mirë dhe se nuk ka pasur asnjë shqetësim në këmbë.
Deklarata e 18-vjeçarit ka sjellë qetësi në kampin spanjoll, i cili mbeti i zhgënjyer pas humbjes së dy pikëve në ndeshjen hapëse të turneut. Disa prej futbollistëve të rinj të ekipit, si Gavi, Nico Williams dhe Dani Olmo, e treguan hapur frustrimin e tyre pas fishkëllimës përfundimtare.
Pavarësisht rezultatit, portieri i Spanjës, Unai Simón, kërkoi qetësi, duke theksuar se Kupa e Botës është një kompeticion i gjatë dhe se skuadra duhet të mbetet e përqendruar te ndeshjet në vazhdim.
Ai vlerësoi gjithashtu paraqitjen në mbrojtje të Kepit të Gjelbër, që ia doli të ndalte sulmin spanjoll dhe të siguronte një pikë me vlerë në debutimin e tij në turne.
Për Spanjën, lajmi më pozitiv pas kësaj ndeshjeje mbetet gjendja e Yamalit, i cili duket plotësisht i përgatitur për sfidat e ardhshme në Kupën e Botës.


