Komente kritike të kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka, pas barazimeve me Australinë në miqësore dhe me Katarin në takimin hapës të Kupës së Botës 2026, kanë nxitur debat të madh në mediat zvicerane.
Mesfushori shqiptar shprehu hapur pakënaqësinë për paraqitjet e skuadrës, ndërsa deklaratat e tij nga disa media u panë si sinjal i pakënaqësive brenda kampit helvetik.
Madje, e përditshmja zvicerane Blick raportoi se në zhveshtoren e Zvicrës ishte krijuar një atmosferë e tensionuar dhe toksike pas komenteve të liderit të ekipit.
Sidoqoftë, drejtori i Përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, i ka mohuar pretendimet për përçarje dhe ka dalë publikisht në mbështetje të Xhakës.
“Njerëzit mund të kenë mendime të ndryshme, por të gjithë duhet të jemi në të njëjtën linjë. Kushdo që nuk pajtohet me deklarata të tilla, mund të përballet me Xhakën”.
“Është me rëndësi të jemi të ndershëm dhe të hapur me njëri-tjetrin. Edhe rezultati pozitiv në fushë na ndihmon në këtë drejtim”.
“Paraqitja kundër Bosnjë-Hercegovinës ishte e qartë. Ajo ishte përgjigjja e duhur ndaj gjithë këtyre diskutimeve”, deklaroi Tami për Blue Sport.
Me këto deklarata, Tami e bëri të qartë se kritikat e Xhakës nuk konsiderohen problem brenda ekipit, por pjesë e një kulture ku lojtarët dhe stafi duhet të jenë të hapur dhe të sinqertë me njëri-tjetrin.
Fitorja bindëse e Zvicrës ndaj Bosnjë-Hercegovinës në Botëror duket se e ka qetësuar disi situatën rreth përfaqësueses helvetike, ndërsa drejtuesit e ekipit besojnë se përgjigjja më e mirë ndaj kritikave dhe spekulimeve jepet gjithmonë në fushën e lojës.//


