Në ditën e rikthimit të legjionarëve, që fillimisht do të grumbullohen për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Rolando Maran, dy lojtarë të përfshirë në listën e tij kanë marrë vlerësime në kampionatet ku luajnë: Rey Manaj dhe Klisman Cake.

Manaj realizoi golin e vetëm të Sivasspor në humbjen 3-1 përballë Vanspor. Paraqitja e sulmuesit lushnjar i siguroi një vend në formacionin e javës në Ligën e Parë turke, ndërsa “Sofascore” e vlerësoi me notën 7.9.


Edhe Cake, mbrojtësi i Akhmat Grozny, u përfshi në formacionin më të mirë të Premier League-s ruse. Nga e njëjta platformë ai mori gjithashtu notën 7.9.
Këto paraqitje janë sinjale pozitive për Kombëtaren dhe trajnerin Maran, i cili do të ketë mundësinë të marrë më të mirën nga të dy futbollistët gjatë minutave që do të kenë në dispozicion në ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Finlandës më 12 nëntor dhe Bjellorusisë më 15 nëntor.


