Kupa e Botës 2026 po vazhdon të hyjë në histori, si në fushë ashtu edhe përtej saj, duke shënuar rekorde të reja si në pjesëmarrje, ashtu edhe në ndjekshmërinë televizive.
Deri më 17 qershor, mbi 1.5 milion tifozë i kanë ndjekur ndeshjet nga stadiumet në Amerikën e Veriut, ndërsa më shumë se 54 milion shikues kanë parë sfidat hapëse të vendeve pritëse: Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë.
16 qershori u regjistrua si një nga ditët më të mëdha në historinë e këtij turneu, me 281,223 tifozë të pranishëm në stadiume. Ndeshja Argjentinë – Algjeri mblodhi 69,045 spektatorë në Kansas City, ndërsa Francë – Senegal mbushi tribunat në New York/New Jersey me 80,545 tifozë. Po ashtu, edhe takime si Norvegji – Irak dhe Austri – Jordani arritën mbi 98 përqind të kapacitetit të stadiumeve.
Në planin televiziv, ndeshja hapëse e Shteteve të Bashkuara ndaj Paraguait u kthye në ndeshjen e futbollit më të ndjekur ndonjëherë në SHBA, me 27.5 milionë shikues. FOX shënoi një rekord historik me 18 milionë ndjekës në transmetimin në anglisht, ndërsa Telemundo arriti në 9.5 milionë shikues në transmetimin në spanjisht.
Në Meksikë, ndeshja hapëse e turneut regjistroi mesatarisht 23.4 milionë shikues, duke u bërë ndeshja më e ndjekur e Kupës së Botës në vend gjatë shekullit të 21-të, me 72.1 përqind pjesëmarrje në tregun televiziv.
Edhe Kanadaja raportoi shifra të larta, me një mesatare prej 3.1 milionë shikuesish për ndeshjen e saj, duke e renditur atë mes ndeshjeve më të ndjekura në historinë e futbollit kanadez.
Me fazën e grupeve që vazhdon ende, pritet që rekordet e pjesëmarrjes dhe të audiencës televizive të vijojnë të rriten, ndërsa ndeshjet vendimtare dhe faza eliminatore mund të sjellin edhe më shumë interes global në javët në vijim.


