Kombëtarja e Kepit të Gjelbër ka hyrë në histori në futbollin botëror, pasi është bërë vendi më i vogël që ka arritur ndonjëherë në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës. Pas një paraqitjeje mbresëlënëse në grup, përfaqësuesja ishullore e Atlantikut ka siguruar një duel ëndrrash në raundin e 1/16-tës ndaj kampiones në fuqi, Argjentinës, dhe yllit të saj Lionel Messi.
Kualifikimi historik u vulos pas barazimit 0-0 ndaj Arabisë Saudite në Houston. Menjëherë pas ndeshjes, lojtarët u grumbulluan në fushë rreth një telefoni celular për të ndjekur takimin mes Spanjës dhe Uruguait.
Suksesi i Spanjës bëri që Kepi i Gjelbër ta mbyllte Grupin H në vendin e dytë, duke siguruar kështu kalimin historik më tej.
Portieri dhe kapiteni 40-vjeçar, Vozinha, shprehu krenarinë e tij për këtë arritje të skuadrës, ndërsa theksoi se ndeshja kundër Messit është një ëndërr për çdo futbollist.
“Askush nga ne nuk e kishte ëndërruar këtë, por gjithmonë kemi besuar te cilësitë tona. Ndoshta shumë njerëz mendonin se nuk do të fitonim asnjë ndeshje në Kupën e Botës, por ne kemi një ekip të shkëlqyer dhe lojtarë cilësorë”.
“Është një kënaqësi e madhe që u kualifikuam në fazën tjetër, ndërsa ndeshja me Argjentinën do të jetë fantastike. Është ëndrra e çdo futbollisti të luajë kundër Argjentinës dhe Lionel Messit”.
“Ne vijmë nga një vend i vogël, por dimë të garojmë. Ndoshta shumë njerëz mendojnë se futbollistët e Kepit të Gjelbër nuk janë mjaftueshëm të mirë, por ne kemi treguar se kemi cilësi dhe se mund të konkurrojmë në çdo turne të madh”.
“Nuk erdhëm këtu për një barazim. Gjithmonë kërkuam fitoren. E dinim se nuk do të ishte e lehtë, sepse Arabia Saudite ka shumë cilësi dhe përvojë në ndeshje të tilla. Bëmë gjithçka për të shënuar, por nuk ia dolëm”.
“Jemi rritur mes vështirësive të mëdha. Prindërit dhe gjyshërit tanë sakrifikuan shumë dhe na mësuan të vlerësojmë gjithçka që kemi”.
“Kemi treguar qëndrueshmërinë e popullit të Kepit të Gjelbër, pasionin për vendin tonë dhe faktin se përfaqësojmë jo vetëm këtë ekip, por të gjithë qytetarët e Kepit të Gjelbër që jetojnë në mbarë botën. Kemi zemra të mëdha dhe jemi luftëtarë”, përfundoi ai.


