Kaos para debutimit në Botëror, Uruguai bllokohet në aeroport për shkak të një gabimi të FIFA-s

Lajme

Uruguai ka kaluar momente të tensionuara vetëm një ditë para debutimit në Kupën e Botës 2026, pasi delegacioni i tyre mbeti i bllokuar në aeroportin e Cancunit për shkak të një gabimi organizativ të FIFA-s.

Në vend që të përgatitej qetësisht për sfidën ndaj Arabisë Saudite, skuadra e drejtuar nga Marcelo Bielsa u përball me një problem të papritur logjistik. Fluturimi çarter që duhej t’i transportonte nga Cancin në Miami nuk kishte lejet e nevojshme për të hyrë në hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar një vonesë prej disa orësh.


Sipas raportimeve, përgjegjësia për këtë situatë i takon FIFA-s, e cila është përgjegjëse për organizimin dhe transportin e ekipeve pjesëmarrëse në turne. Dokumentacioni i nevojshëm nuk ishte përfunduar në kohë, duke bërë që lojtarët dhe stafi teknik të prisnin për orë të tëra në aeroport.

Situata u bë edhe më shqetësuese pasi rregulloret e Kupës së Botës kërkojnë që ekipet të mbërrijnë në qytetin pritës jo më vonë se 24 orë para ndeshjes. Për Uruguain, afati i fundit ishte ora 19:00 sipas kohës lokale në Miami.

Për shkak të vonesës u shty edhe konferenca zyrtare për shtyp në stadiumin Hard Rock, ku ishte planifikuar të paraqiteshin trajneri Marcelo Bielsa dhe kapiteni Jose María Giménez. Federata Uruguaiane e Futbollit rrezikonte madje edhe një gjobë, ndonëse faji nuk lidhej me organizimin e saj.

Megjithatë, pas disa orësh pasigurie, FIFA dhe Federata Uruguaiane arritën të gjenin një zgjidhje emergjente. Një avion tjetër u sigurua dhe nisja nga Cancun u ricaktua për në orën 16:15 sipas kohës lokale.

Me një fluturim që zgjat rreth një orë e 45 minuta, Uruguai pritej të mbërrinte në Miami pikërisht në limitin e afatit të lejuar, duke shmangur kështu çdo sanksion të mundshëm.

Ky incident i pazakontë ka prishur ndjeshëm planet e Marcelo Bielsës, i njohur për përgatitjet e tij të detajuara dhe disiplinën e lartë organizative.

Uruguai bën pjesë në Grupin H të Kupës së Botës 2026. Pas ndeshjes hapëse ndaj Arabisë Saudite, amerikanolatinët do të përballen me Kepin e Gjelbër më 22 qershor dhe me Spanjën më 27 qershor. /Telegrafi/

Promo