Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, ka shkaktuar shqetësim te tifozët pas suksesit 4-2 ndaj Kroacisë në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026.
Sulmuesi anglez ishte ndër figurat kryesore të takimit, duke realizuar një gol nga penalltia.
Kane shënoi në përpjekjen e dytë, pasi arbitri Clement Turpin vendosi që penalltia të përsëritej për shkak të një shkeljeje nga portieri kroat Dominik Livakovic.
Pas mbylljes së ndeshjes, 32-vjeçari u pa teksa iu afrua familjarëve të tij në tribunat e stadiumit AT&T në Dallas, me këmbën e majtë të fashuar. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi dhe ngritën pikëpyetje për gjendjen fizike të sulmuesit anglez.
Kane qëndroi në fushë gjatë gjithë 90 minutave pa u zëvendësuar, çka befasoi një pjesë të tifozëve duke pasur parasysh ritmin dhe intensitetin e përballjes.
Megjithatë, sinjalet e para tregojnë se fashimi i këmbës lidhet më tepër me lodhjen dhe goditjet e pësuara gjatë ndeshjes, sesa me ndonjë dëmtim të rëndë.
As trajneri Thomas Tuchel nuk dha një sqarim të prerë për gjendjen e lojtarit.
“Do të shohim. Shpresoj që të jetë mirë. Jemi të gjithë të lodhur, por më pëlqeu të shihja lojtarë të rraskapitur në zhveshtore”, u shpreh trajneri gjerman pas ndeshjes.
Anglia do të luajë ndaj Ganës në ndeshjen e dytë të grupit të martën, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse Kane do të jetë plotësisht gati për sfidën e radhës.
Aktualisht, nuk ka raportime për një dëmtim serioz, por stafi mjekësor i “Tre Luanëve” pritet ta ndjekë nga afër gjendjen e kapitenit.


