E ardhmja e Bruno Fernandesit në Manchester United nuk është vendosur ende, ndërsa Juventusi po e shqyrton mundësinë për ta transferuar mesfushorin portugez.
Sipas gazetës italiane Tuttosport, klubi torinez ka shfaqur interes për futbollistin, kontrata e të cilit me Manchester Unitedin përfundon në qershor të vitit 2027.
Unitedi mund ta aktivizojë opsionin për ta zgjatur marrëveshjen edhe me një vit. Klubi dhe lojtari kishin nisur bisedimet për rinovimin, por Fernandes ka vendosur që negociatat të ndërpriten përkohësisht.
“Nuk është momenti i duhur. Për momentin, le të përqendrohemi vetëm te fitimi i ndeshjeve. Më pas mund të flasim përsëri për kontratën time, e cila nuk është e rëndësishme tani”, kishte thënë ai.
Interesim për Fernandesin raportohet të ketë edhe Milani, i cili mund të synojë transferimin e tij nëse futbollisti bëhet lojtar i lirë në fund të këtij sezoni.
Një kthim në futbollin italian do të kishte domethënie të veçantë për portugezin, pasi më herët ka luajtur për Novaran, Udinesen dhe Sampdorian.
Edhe Sportingu i Lisbonës, ish-klubi i tij, mund të hyjë në garë. Fernandes ka lënë të hapur mundësinë që një ditë të rikthehet te skuadra portugeze.
“Nuk do ta mbyll kurrë derën për një rikthim të mundshëm te Sportingu. Ai do të jetë gjithmonë një klub që ka një vend të veçantë në zemrën time”, ka deklaruar mesfushori.
Ndërkohë, një kalim jashtë Evropës, qoftë në Arabinë Saudite apo në MLS, nuk duket se bën pjesë në planet e tij.
