Një nga episodet më të çuditshme dhe njëkohësisht komike të Kupës së Botës 2026 është regjistruar në kampin stërvitor të Spanjës në Tennessee, ku sulmuesi i përfaqësueses, Borja Iglesias, u gjend përballë një situate të papritur para se t’u bashkohej shokëve të ekipit.
Sipas pamjeve të publikuara nga El Chiringuito, futbollisti 33-vjeçar u ndal nga stafi i sigurisë pranë hyrjes së kompleksit stërvitor dhe, në fillim, nuk u lejua të hynte në ambientet e skuadrës.
Shkaku ishte po aq i thjeshtë sa edhe i pabesueshëm: punonjësit e sigurisë nuk e njohën lojtarin spanjoll dhe vunë në dyshim identitetin e tij.
Iglesias u përpoq t’u shpjegonte rojeve se ishte pjesë e kombëtares së Spanjës dhe se duhej të hynte në kamp, por fjalët e tij nuk mjaftuan për t’i bindur.
“Jam sulmues i ekipit kombëtar, duhet të futem brenda”, raportohet se u tha ai punonjësve të sigurisë.
Megjithatë, procedurat e sigurisë vijuan dhe futbollisti u detyrua të priste derisa të kryheshin verifikime të tjera.
Vetëm pas disa telefonatave dhe konfirmimeve nga personat përgjegjës, Iglesias mori lejen për të hyrë dhe për t’iu bashkuar pjesës tjetër të skuadrës.
Ngjarja u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, ku videoja u bë virale dhe solli reagime të shumta nga tifozët.


