Inter mposht me lehtësi Lazion dhe kalon në finale të Superkupës së Italisë

Lajme

Inter ka shënuar fitore me rezultat 3-0 ndaj Lazios në kuadër të gjysmëfinales së Superkupës së Italisë.

Nerazzurrët e nisën vrullshëm këtë takim duke rrezikuar në disa raste portën e Ivan Provedel.

Golin e avantazhit Interi e gjeti përmes Marcus Thuram (11’) i cili mori një top të mirë në zonë nga Federico Dimarco për të shënuar për 1-0.

Nicolo Barella (36’) pati mundësinë të dyfishonte rezultatin, mirëpo gjuajtja e tij u ndal nga traversa.

Me epërsi minimale të Interit përfunduan 45 minutat e para të këtij takimi.

Me të filluar pjesa e dytë Lautaro Martinez (48’) fitoi penallti pas një ndërhyrje nga Pedro.

Nga pika e bardhë i pagabueshëm u tregua Hakan Calhanoglu (50’) i cili shënoi për rezultatin 2-0.

Goli i tretë dhe ai që përfundimisht i dha fund shpresave të Lazios u shënua nga Davide Frattesi (87’) i cili u asistua nga Henrikh Mkhitaryan dhe nuk gaboi përballë portierit për 3-0.

Në finale Inter do të përballet me ekipin e Napolit, që dje e mposhti Fiorentinën po ashtu me rezultat 3-0. /Telegrafi/



sport,inter,lazio,Superkupa e Italisë , inter,lazio,Superkupa e Italisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *