Ilir Krasniqi është shndërruar në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të Kosovës gjatë këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Mbrojtësi ka luajtur nga minuta e parë në të pesë përballjet e Kosovës në Grupin B3, duke dhënë paraqitje të nivelit të lartë në secilën ndeshje.
Futbollisti që aktivizohet në Ukrainë me Polyssia Zhytomyr po forcon gjithnjë e më shumë statusin e tij si një nga mbrojtësit më të spikatur të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Statistikat e vendosin atë mes lojtarëve më të dalluar të turneut për ndërhyrjet dhe topat e rikuperuar.
Krasniqi ka realizuar 19 ndërhyrje, shifër me të cilën kryeson së bashku me turkun Ismail Yuksek. Në renditjen e topave të rikuperuar, mbrojtësi kosovar mban vendin e dytë me 43 të tillë.
Në gjashtë ndeshjet e fundit të Kosovës, ku përfshihen edhe miqësoret ndaj Çekisë dhe Andorrës, Krasniqi ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe nuk është zëvendësuar te “Dardanët”.
