Federata Tuniziane e Futbollit është pranë finalizimit të një marrëveshjeje me Herve Renard (57), i cili, sipas “The Sun”, pritet të marrë në dorë kombëtaren në mes të Kupës së Botës.
Trajneri francez pritet të zëvendësojë Sabri Lamouchi (54), i shkarkuar pas humbjes së thellë 5-1 që Tunizia pësoi ndaj Suedisë në ndeshjen hapëse të Grupit F.
Pas kësaj disfate, drejtuesit e federatës arritën në përfundimin se duhej ndërhyrë menjëherë, ndërsa përmes një deklarate zyrtare konfirmuan largimin e Lamouchit dhe caktimin e përkohshëm të Mondher Kebaier për të mbyllur ndeshjet e Kupës së Botës.
Në të njëjtin komunikim, federata bëri të ditur se po punonte që trajneri i ekipit olimpik, Anis Boujelbane, t’i bashkohej stafit teknik të përfaqësueses.
Megjithatë, situata është ndërlikuar, pasi sipas gazetarit Romain Molina, Lamouchi ka udhëhequr stërvitjen e skuadrës edhe pas njoftimit për shkarkimin e tij, duke shkaktuar konfuzion dhe kaos në kampin tunizian.
Nga ana tjetër, drejtuesit e federatës nuk duken të bindur nga zgjidhja e përkohshme dhe po insistojnë që Renard të jetë zgjedhja e parë për stolin.
Sipas “The Sun”, Renard tashmë ka marrë rrugën drejt Santiago de Meksikos, aty ku ndodhet edhe përfaqësuesja tuniziane, dhe një njoftim zyrtar pritet të vijë shumë shpejt.
Renard konsiderohet një nga trajnerët më të njohur në futbollin afrikan dhe atë ndërkombëtar, pasi ka fituar Kupën e Kombeve të Afrikës me Zambinë dhe Bregun e Fildishtë, ndërsa ka drejtuar edhe Marokun, Arabinë Saudite dhe kombëtaren e femrave të Francës.
Ai mbeti pa skuadër pasi u shkarkua nga Arabia Saudite vetëm dy muaj përpara Kupës së Botës.


