Real Madridi ka konfirmuar se Rafael Nadal do të propozohet si anëtar i ri i Bordit të Drejtorëve. Emërimi do të hidhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme të radhës, të planifikuar për të shtunën, më 21 nëntor.
Tenisti spanjoll, fituesi më i madh i trofeve në historinë e këtij sporti, ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e tij për klubin dhe aktualisht mban statusin e anëtarit të nderit. Emri i tij është përmendur shpesh si kandidat i mundshëm në zgjedhjet presidenciale të Real Madridit, por verën e kaluar ai e mohoi këtë mundësi.
Me vendimin e ri, lidhja e Nadalit me klubin do të marrë formë zyrtare. Real Madridi e konsideron atë një figurë me rëndësi për perspektivën afatgjatë të institucionit.
Nadali pritet të jetë pjesë e bordit gjatë viteve të ardhshme, krah presidentit Florentino Perez, dhe të ndjekë nga afër veprimtarinë e përditshme të klubit. Emërimi përmbush edhe dëshirën e shumë tifozëve që ai të përfshihet në strukturat e Real Madridit.
Në njoftimin zyrtar, klubi bëri të ditur se vendimi u mor në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të mërkurën, më 4 nëntor.
“Bordi i Drejtorëve të Real Madridit, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, më 4 nëntor, vendosi t’i propozojë Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve konfirmimin e Rafael Nadal Parera-s, anëtarit tonë me numër 67,778, si anëtar të ri të Bordit të Drejtorëve.”
Klubi e përshkroi Nadal-in, i cili është anëtar nderi, si një nga legjendat më të mëdha të sportit dhe ndër sportistët spanjollë më të vlerësuar e më të njohur në botë.
“Për Real Madridin dhe tifozët e tij është një krenari e jashtëzakonshme që një njeri me përmasa të tilla sportive dhe njerëzore, model për sportin spanjoll dhe atë botëror, t’i bashkohet Bordit tonë të Drejtorëve.”
“Jemi të bindur se, në këtë rol, ai do të japë kontribut për të tashmen dhe të ardhmen e klubit tonë”, thuhet në deklaratën e Real Madridit.
