Disfata përballë Tiranës në kryeqytet ishte e treta radhazi për Teutën. Në prononcimin për mediat pas takimit, trajneri i durrsakëve, Edlir Tetova, vlerësoi se skuadra e tij nuk duhej të dilte e mundur, duke theksuar mundësitë e pashfrytëzuara për gol.

Tetova u ndal veçanërisht te rasti i Umejiego-s, duke shprehur habinë se si sulmuesi e kishte dërguar topin jashtë nga 3 metra përpara portës. Sipas tij, shpërdorimi lidhej me një bllokim psikologjik, ndërsa kujtoi se rastet përpara portës kishin ardhur edhe gjatë pjesës së dytë.
Në analizën e lojës, tekniku shpjegoi se pas pushimit Tirana ishte vendosur në reparte të ndara për të krijuar tranzicione. Ai shtoi se diktimi i lojës bëhej nga krahët me Arifin dhe Bocin, ndërsa pranoi se kishte ende elemente për të përmirësuar lidhur me ndryshimin e sistemit.
Mungesat e lojtarëve, sipas Tetovës, e kishin vënë në vështirësi skuadrën. Ai nënvizoi nevojën për rikuperimin e tyre, duke veçuar se Malaj dhe Toli nuk ndodheshin në formën më të mirë fizike. Trajneri shtoi se periudha e pushimit do të shërbente për të parë se çfarë mund të rikuperohej.
