Holanda mbyll Grupin F me fitore ndaj Tunizisë dhe cakton përballjen e radhës me Marokun

Holanda mbyll Grupin F me fitore ndaj Tunizisë dhe cakton përballjen e radhës me Marokun

Lajme

Holanda e ka mbyllur Grupin F në Kupën e Botës FIFA 2026 në vendin e parë, pasi triumfoi 3-1 ndaj Tunizisë në takimin e luajtur në Kansas City, duke prerë biletën për në raundin e 1/8-ve të finales.

Në këtë fazë, holandezët do të kenë përballë Marokun, që e mbylli Grupin C në pozitën e dytë pas Brazilit. Kualifikimi i marokenëve konsiderohet historik, ndërsa sfida pritet të ketë ngarkesë të veçantë emocionale, edhe për faktin se te kjo përfaqësuese bëjnë pjesë disa futbollistë të lindur në Holandë. Ndeshja do të luhet në Monterrey të Meksikës.

Holanda e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme takimin ndaj Tunizisë, duke realizuar dy herë në vetëm shtatë minutat e para. Fillimisht, kapiteni tunizian Ellyes Skhiri devijoi topin në portën e tij pas një krosimi të Denzel Dumfries, ndërsa më pas Brian Brobbey e çoi rezultatin në 2-0 pas pasimit të Virgil van Dijk.

Për Van Dijk, ky ishte asistimi i parë me fanellën e përfaqësueses së Holandës.

Pas pushimit, Tunizia u fut sërish në ndeshje kur Hazem Mastouri shënoi pas një goditjeje nga këndi, duke e afruar rezultatin në 2-1.

Gjithsesi, reagimi i Holandës ishte i menjëhershëm dhe Jan Paul van Hecke riktheu diferencën prej dy golash, teksa realizoi me kokë për 3-1, po ashtu pas një goditjeje nga këndi.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Japonia barazoi 1-1 me Suedinë. Ky rezultat i siguroi japonezëve vendin e dytë, ndërsa Suedia e përfundoi fazën e grupeve në pozitën e tretë, por arriti të kualifikohet si njëra nga kombëtaret më të mira të vendeve të treta.

Promo